“Këshilli Evropian vendos çeljen e negociatave për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë”, shkruhet në tekstin e fundit të projekt-konkluzioneve të Këshillit të zbuluara nga Euronews Albania. E siç ishte lajmëruar më parë, propozimi i parë i Presidencës kroate ka ndryshuar me kushtet e vëna nga Bundestagu gjerman dhe kushtet e shtuara nga Holanda.
Pasi këshillohet Komisioni Evropian për përgatitjen e kuadrit të ri negociues, Shqipëria duhet të plotësonë kushtet e mëposhtme paraprakisht mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare:
1. “Shqipëria duhet të miratojë reformën zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, duke garantuar financim transparent të partive politike dhe fushatave zgjedore,
2. duhet të garantojë zbatimin e vijueshëm të reformës në drejtësi, përfshirë garantimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, duke marrë parasysh ekspertizën relevante ndërkombëtare përfshirë opinionet e zbatueshme të Komisionit të Venecias,
3. si dhe të përfundojë vendosjen e strukturave të specializara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar »
Por edhe me plotësimin e këtyre kushteve, para se kuadri negociues të miratohet nga vetë Këshilli, vendi duhet të vijojë të japë rezultate në pesë prioritetet kyçe, e sidomos në fushat konkrete si më poshtë :
- “Shqipëria duhet gjithashtu të përforcojë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë nëpërmjet bashkëpunimit me vendet anëtare të BE-së dhe nëpërmjet planit të veprimit për adresimin e rekomandimeve të Task Forcës për Veprimet Financiare (FATF).
- vendi duhet të përballet me fenomenin e aplikimeve të pabaza për azil dhe të garantojë riatdhesimin.
- si dhe të ndryshojë ligjin për median në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.”
Komisioni ftohet si të hartojë një raport për këto çështje, përfshirë përparimin në lidhje me gjurmët e provave, kur të paraqitet kuadri negociues me vendin.
Sipas dokumentit, kuadri negociues do të miratohet nga Këshilli dhe duhet të reflektojë që Shqipëria i ka adresuar me sukses 5 prioritetet kyçe, e më konkretisht :
1. “nisja e hetimit të gjykatësve dhe prokurorëve të akuzuar gjatë procesit të vetingut për sjellje kriminale ;
2. nisja e procedimeve kundër atyre që akuzohen për blerje votash, gjurmë të forta provash në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë nisjen e procedimeve dhe përmbylljen e proceseve të para kundër politikanëve dhe zyrtarëve publikë të nivelit të lartë,
3. progres të prekshëm në lidhje me reformën në administratën publike,
4. zbatimin e reformës për kodin zgjedhor si dhe vendimet përfundimtare për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019,
5. progres të mëtejshëm në miratimin e legjislacionit të mbetur zbatues për kuadrin ligjor të vitit 2017 për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare.”
Sipas burimeve të Euronews Albania debatet mes vendeve anëtare javën që kaloi kanë qenë mjaft të gjalla dhe kanë zgjatur më shumë seç pritej. Teksti i zbuluar nga Euronews Albania ka lënë ende të pakënaqur disa vende mbështetëse dhe disa kundërshtare, ndërsa afati për ndryshime të mëtejshme ishte dita e sotme, pasi në rast të kundërt Franca ka kërcënuar se nuk do të marrë pjesë në video-konferencën e dijtës së martë kur ministrat e çështjeve evropiane duhet të marrin vendimin, para miratimit nga Samiti i të enjtes.