Shqipëria, me rënien më të madhe të lindshmërisë në rang global deri më 2054…

Shpërndaje

Emigracioni i lartë dhe plakja e popullsisë do të çojnë popullsinë e Shqipërisë në rënie pa kthim në të gjithë skenarët.

Kombet e Bashkuara në projeksionet e reja “Rishikimi i Perspektivës së Popullsisë Botërore 2024” e renditën Shqipërinë si vendin me rënien më të fortë të normave të lindshmërisë (fertilitetit) për grua me rreth 15% deri në vitin 2054 në rang global. (shiko grafikun e mëposhtëm).

Pas Shqipërisë vendet që do të kenë rënie të lartë të lindshmërisë do të jenë Armenia, Moldavia, Mali i Zi etj.

OKB vëren se niveli i fertilitetit, ose numri mesatar i lindjeve të gjalla për grua gjatë gjithë jetës, ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit në shumë vende. Aktualisht, shkalla globale e lindshmërisë është 2.25 lindje të gjalla për grua, një fëmijë më pak se një brez më parë. Në Shqipëri aktualisht niveli i lindshmërinë për grua është më pak se 1.2 fëmijë, shumë poshtë shkallës së zëvendësimit.

Në shumicën e shoqërive, fëmijët dhe të moshuarit konsumojnë mesatarisht më shumë sesa prodhojnë.

OKB këshillon se pothuajse në të gjitha vendet dhe zonat me popullsi që tashmë kanë arritur kulmin në madhësi të popullsisë, dritarja e mundësive për rritjen e përshpejtuar ekonomike të lidhur me një popullsi rinore është mbyllur. Megjithatë, edhe në vendet ku pjesa e popullsisë në moshë pune (midis 20 dhe 64 vjeç) po zvogëlohet, ka mënyra për të nxitur rritjen ekonomike.

Një nga strategjitë që rekomandon OKB është që vendet me rënie të popullsisë duhet të bëhen gjithëpërfshirës, duke futur në tregun formal të punës grupe që tradicionalisht janë përjashtuar, si gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Një qasje tjetër që rekomandohet është rritja e produktivitetit të punonjësve duke investuar në formimin e kapitalit njerëzor dhe trajnimin e vazhdueshëm, duke përdorur teknologjisë, duke përfshirë robotikën, automatizimin dhe inteligjencën artificiale (AI). Imigrimi (prurjet e emigrantëve) mund të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e mungesës së fuqisë punëtore të lidhur me plakjen e popullsisë, të paktën në afat të shkurtër.

Migrimi ndërkombëtar nuk mund të kompensojë rënien e popullsisë ose plakjen e popullsisë në terma afatgjatë, por nuk duhet parë si një “zgjidhje” për atë që në fund të fundit është një proces universal dhe i pakthyeshëm: tranzicioni demografik.

Në vendet ku nivelet e lindshmërisë janë tashmë nën zëvendësimin, emigrimi i njerëzve në moshën riprodhuese mund të kontribuojë në rënien e mëtejshme të popullsisë. Në 62 për qind të vendeve dhe zonave të grupit që tashmë përjetojnë nivele të ulëta të lindshmërisë, emigracioni ka të ngjarë të kontribuojë në zvogëlimin e mëtejshëm të numrit të popullsisë nga tani deri në vitin 2054. Në këtë grup vendesh bën pjesë edhe Shqipëria.

Më herët, OKB, në projeksionet e reja për ecurinë e popullsisë së botës deri më 2054, referon se Shqipëria renditet në mesin e vendeve me rënien më të madhe të popullsisë ndërmjet 2024-2054 në rang global.

Raporti referon se grupi i vendeve ku përfshihet Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Lituania, Porto Riko dhe Moldavia do të përballet me një rënie të popullsisë në nivelet 14% në 30 vitet e ardhshme. Këto vende do të kenë normat më të larta globale të rënies së popullsisë./B.Hoxha/Monitor/

Shpërndaje