Gaza, 31 të vrarë në një sulm izraelit ndaj shkollës që strehonte palestinezë të zhvendosur…

Shpërndaje

Të paktën 31 palestinezë, duke përfshirë fëmijë, u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën sot në një sulm izraelit ndaj një spitali fushor në një shkollë që strehonte persona të zhvendosur në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, thanë burime palestineze.

“Numri i të vdekurve nga sulmi i Izraelit në një spital fushor brenda një shkolle që strehon njerëz të zhvendosur në Deir al-Balah në Gazën qendrore është rritur në 31”, tha për Anadolu zëdhënësi i zyrës së mediave të qeverisë së Gazës, Ismail Al-Thawabta.

Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi se avionët e saj luftarakë sulmuan shkollën Khadija në pjesën qendrore të Rripin e Gazës, duke pretenduar se shënjestruan anëtarët e Hamasit.

Më herët, zyra e mediave e qeverisë së Gazës tha se “ushtria okupatore izraelite kreu një masakër të re pak më parë duke bombarduar një spital fushor të ngritur brenda shkollës Khadija në Deir al-Balah”.

Burime mjekësore thanë për Anadolu se ushtria izraelite bombardoi shkollën në zonën që ishte klasifikuar si “zonë e sigurt humanitare” në Deir al-Balah.

Izraeli ka vrarë më shumë se 39.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, në Rripin e Gazës që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor 2023.

Përveç viktimave në rritje, fushata ushtarake e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës me 2,3 milionë njerëz në gërmadha, duke lënë shumicën e civilëve të pastrehë dhe në rrezik nga uria.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vendimi i fundit i së cilës e urdhëroi atë të ndalonte menjëherë operacionin e tij ushtarak në Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj.

Shpërndaje