Dumani në Kuvend: 41 milionë euro të sekuestruara në vitin 2023, ja qytetet ku janë më aktive grupet kriminale…

Shpërndaje

Kreu i SPAK, Altin Dumani, gjatë raportimit në Kuvend ka treguar qytetet ku janë më aktive grupet kriminale në vend, teksa u shpreh se vrasjet janë më të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme theksoi se në kryeqytet dhe qytete të tjera bregdetare grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave.

Gjithashtu Drejtuesi i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit, Altin Dumani deklaroi se, gjatë vitit 2023 SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë në total rreth 41 milionë euro.

“Analiza e tregjeve kriminale në Shqipëri tregon një situatë shqetësuese me grupe aktive në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Gjirokastra, Fieri, Shkodra, Elbasani, Kurbini dhe Fushë Kruja.

Në Tiranë dhe qytete të tjera bregdetare, grupet kriminale kryesisht janë të orientuara më shumë drejt pastrimit të parave. Trafiku i narkotikëve është një problem në Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier dhe Kurbin. Durrësi, Shkodra, Laçi dhe Fushë-Kruja, është evidentuar korrupsioni i funksionarëve të drejtësisë.

Vrasjet dhe vrasjet e mbetura në tentativë janë të shpeshta në Durrës, Fushë Krujë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan.

Në Fushë-Krujë është e pranishme tregtia e armëve, lëndëve shpërthyese, por dhe makinave të vjedhura të cilat shërbejnë si mjete për kryerjen e vrasjeve”, tha Altin Dumani.

Kreu i SPAK tregoi se paratë pastrohen përmes investimit në prona të luajtshme dhe të paluajtshme, si edhe përmes depozitimit të parave në llogari bankare të shoqërive tregtare apo të afërmve të tyre.

“Sa i përket pastrimit të parave investimet në prona të luajtshme dhe pa paluajtshme janë mënyrat kryesore në Shqipëri, veçanërisht në apartamente, ndërtesa dhe njësi shërbimi në Tiranë, dhe zona turistike.

Një numër i konsiderueshëm parash dyshohet se depozitohen nëllogari bankare në emra shoqërish tregtare ose personave fizik, të afërm të të dyshuarve.

Kemi pasur edhe një rast të një organizate ndërkombëtare kriminale që synonte pastrimin e parave nëpërmjet skemave të sofistikuara në Shqipëri, por autoritetet e zbatimit të ligjit bashkëvepruan dhe u bë e mundur sekuestrimi kësaj shume parash dhe procedimi penal ndaj disa prej anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal”, theksoi drejtuesi i SPAK.

Shpërndaje