La shkollën dhe hapi biznes në Londër me patate të skuqura e salcë, Jasini s’i shpëton pyetjes ‘alla shqiptare’…

Shpërndaje

Nga Gruemira e Malësisë së  Madhe në Londër, ku jeton prej 10 vitesh  dhe ka ndërtuar një biznes të suksesshëm. Jasin Lugjaj tregon për emisionin “Opinion” në Tv Klan, të fokusuar në rubrikën “Shqiptarë në botë” se në moshën 15-vjeçare iu ofrua një mundësi për të shkuar në Londër.

Atje nisi gjimnazin, më pas universitetin ku në vitin e dytë kuptoi se shkolla nuk ishte rruga e tij dhe vendosi të merrej me biznes. Tani ka ndërtuar një biznes të suksesshëm patatesh të skuqura.

Blendi Fevziu: Çfarë biznesi bën Jasin?

Jasin Lugjaj: Kam një biznes patatesh, shesim patate të skuqura me salca të ndryshme.

Blendi Fevziu: Au! Me keçap.

Jasin Lugjaj: Jo vetëm me keçap, kemi rreth 20 salca të ndryshme, kemi reth 6 dyqane në Londër. Kemi hapur fabrikën më të madhe të përpunimit të patateve të freskëta brenda Londrës ku furnizojmë edhe shumë restorante, pabe, fish shops.

Blendi Fevziu: Të ectë mbarë! Kur të vij në Londër do vij të shoh fabrikën.

Jasin Lugjaj: Je i mirëpritur!

Blendi Fevziu: 20 lloje salcash, po ku i gjetët 20 lloje salcash?

Jasin Lugjaj: Duke qenë që  Anglia dhe Londra është një vend me shumë kultura të ndryshme, ke nga Azia, ke nga Afrika,  pastaj duhet të kesh salcat pikante që pëlqejnë indianët, duhet të kesh keçapin e majonezën që u pëlqen europianëve, duhet të kesh salcat me spec të ëmbël që u pëlqen afrikanëve dhe kështu duhet të kesh djathin që ka Amerika dhe të gjitha këto gjëra bëhet një listë me 20  produkte të ndryshme.

Blendi Fevziu: Ti e mbulon këtë hartën e globit që kam unë pas shpinës me salca.

Jasin Lugjaj: Unë nuk jam kuzhinier, s’ia kam hiç idenë por kur unë studioja të bëja një biznes, thashë si mund ta bëj unë që të kem sa më shumë ëklientë dukeqenë se Londra është 12 milionë banorë, gjysma e saj janë emigrantë, si mundem unë që të kem sa më shumë, të kem një gjithëpërfshirje? Thashë patatet, nëse bëj patatet më të mira, të skuqura, të fresëkta çdokush i pëlqen. Vjen shqiptari,i  pëlqen, vjen italiani i pëlqen, vjen indiani i pëlqen, futa të gjithë traditat dhe mundohem.

Blendi Fevziu: Sa e shet atë kaushin me patate se ti e di, shqiptarët për çmimin të pyesin?

Jasin Lugjaj: Direkt  për çmimin, duke parë edhe tregun këtu, pagat e punëtorëve janë të larta, ne kemi edhe të vogël, të mesme  dhe të madhe shumë.  E vogla është 250 gr, 400 gr dhe 1 kg patate dhe çmimet variojnë nga 3 paund në 7 paund që i bie diku te 360 lekë të vjetra. Përveç asaj ne iu marrim lekë për çdo salcë.

Jasini shpjegon se patatet merren në Kembrixh dhe përpunohen në fabrikën e tij. Gjatë përfshirjes së tij në biznes ai ka vënë re se ka shumë shqiptarë që gëzojnë pozicione të mira pune.

Jasin Lugjaj: Çdo menaxher në çdo kuzhinë është shqiptar, kur hyra unë aty duke dëgjuar këngën e Noizyt, thashë ça është duke u bërë. Shkoj te dega tjetër, shqiptar, te tjetra shqiptar. Londra ka një nga komunitetet më të mëdha pas Italisë e Greqisë.

Jasini shton se është anëtar i Partisë Konservatore dhe përpiqet që të ngrejë zërin në mbrojtje të shqiptarëve, sidomos pas ardhjes në pushtet të Rishi Sunak. Ai thotë se u tregon të gjithëve për Shqipërinë dhe shumë anglezë e jo vetëm, e kanë vizituar dhe kanë mbetur të mrekulluar duke ndryshuar mendimin e mëparshëm për Shqipërinë.

Ambicia e ardhshme e Jasinit është kthimi në Shqipëri me biznesin e tij.

“Kam shumë dëshirë që një ditë të vij e ta hap në Shqipëri jo për përfitim, thjesht dua që pasi të jetë rritur shumë në Angli të vij edhe në Shqipëri sepse është vendi ku ta do zemra”, përfundoi Jasini./tvklan.al

Shpërndaje