Zbardhen detaje nga takimi i mbajtur në Shkodër këtë të shtunë mes kryeministrit Edi Rama, ministrave dhe kryebashkiakëve të vendit.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu raporton se si çështje e parë trajtuar nga kryeministri ishte ajo e aplikimeve nga bashkitë në fondet e BE.
Për këtë kryeminsitri ka kërkuar bashkëpunim mes bashkive dhe Ministrisë të Pushtetit Vendor drejtuar prej Arbian Mazniku.
Ka theksuar se mbështetja në këtë proces prej pushtetit qëndror do të jetë i pakursyer por kjo varet nga performanca e bashkive.
“Kush performon më mirë do të ketë mbështetje nga Ministria e Financave kur shpërndan grantin e pakushtëzuar. Pra do ketë një dallim ndryshe për ato bashki që kanë performancë më mirë krahasuar me ato me probleme dhe ta zhytura në borxhe ndaj palëve të treta” citohet të jetë shprehur kryeministri Edi Rama.
Si çështje të dytë kryeministri Edi Rama është ndalur në burimet njerzore që punojnë në të gjitha bashkitë e vendit.
Është angazhuar në rishikimin e pagave duke i përafruar me ato të atyre që punojnë në qerisjen qëndrore pasi ka një disnivel shumë të madh.
Synimi ynë citohet të ketë deklaruar kryeministri Rama është unifikimi pagave të pushtetit vendor me ato në pushtetin qëndror.
Ky disnivel pagash shikohet edhe po të krahasohet mes të punësuarve nga njëra bashki në tjetrën.
Përshembull nëse një inxhinjer i punësuar në Bashkinë Durrës paguhet me 80.000 lekë, një inxhinier i punësuar në Bashkinë Fushë Krujë paguhet 40.000 lekë.
Ky nivel pagash po krijon boshllëqe dhe pamundësi rekrutimi punonjësish në të gjitha bashkitë e vendit.
Nga ana tjetër, ministri Arbjon Mazniku prezantoi raportin e bashkive të vendit, sipas informacioneve të përcjella nga korrespodenti i Top Channel në Shkodër, Klodian Zhivani.
Detyrimet e njësive vendore janë ulur me 60% nga 12 miliardë lekë në 4.8 miliard lekë, theksoi ministri, ndërsa shtoi se Kavaja dhe Vora janë bashkitë me më shumë borxhe, sipas raportit.
“Për sa i përket burimeve njerëzore, është analizuar numri i punonjësve për 1000 banorë për të gjitha bashkitë, në aparatet e tyre dhe shërbimet që ofrojnë. Sa i përket anës financiare, bashkitë janë futur në site, kapacitetet e bashkive për të mbledhur të ardhurat e tyre, si dhe cilat janë bashkitë që performojnë më mirë. Po ashtu bashkitë janë analizuar edhe sa i përket aftësisë për të shkruar projekte dhe për të thithur fonde nga Bashkimi Europian. Sa i përket të ardhurave vendore, në 2023 u rritën me 271% krahasuar me 2015, nga 13 miliardë në 31 miliardë. Sa i përket shpenzimeve vendore 102 % më të larta se në 2015. Borxhet e bashkive të vogla, janë të varura në masën 85 % nga grantet dhe transfertat e qeverisë. Bashkitë më të mëdha e kanë të balancuar këtë raport në 55%.
Detyrimet e njësive vendore janë ulur me 60% nga 12 miliard në 4.8 miliard lekë. Borxhet e bashkive janë 4.8 mld lekë, 60% më pak se në 2015, Kavaja dhe Vora janë bashkitë me më shumë borxhe.
14 bashki janë të varura 85% nga grantet dhe transfertat e qeverisë, ndërsa 10 bashki (me mbi 100 mijë banorë janë të varura në masën 55%”, mësohet të ketë thënë ministri Mazniku gjatë mbledhjes.
Kujtojmë se në mbledhjen e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër e cila nisi në orën 10:00 ishin të pranishëm edhe kryebashkiakë të së djathtës.
Në orën 10.00 takimin e hapi kryeministri Rama me fjalën e tij, e parashikuar 30 minuta dhe më pas mori fjalën ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbion Mazniku.
Nëntë tryeza pune do të bëjnë bashkë ministra, zv/ministra dhe kryebashkiakë me fokus diskutimesh të sektorëve kryesorë.
Sipas agjendës, takimi mbyllet me fjalën e kryeministrit Rama që nis në orën 17.30 dhe pritet të zgjasë 60 minuta.
Të zgjedhurit e të djathtëve, Hilë Curri i Fushë Arrëzit, Rrok Doda i Pukës, Albert Mlyshi i Mirditës dhe Fisnik Qosja i Kavajës, kryebashkiaku i Hasit, Miftar Dauti dhe ai i Memaliajt, Albert Malaj i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së qeverisë.