Ish kryetari i Bashkisë Shkodër Bardh Spahia reagon për mbledhjen e kabinetit qeveritar nga Kryeministri Rama…

Shpërndaje

Mirë që bën mbledhjen e qeverisë tënde hajdute në Shkodrën të cilën ti vazhdon dhe e persekuton, por Shkodra akoma nuk ka përfituar asnjë investim. Në mbledhjen e sotme mungonte në dukje (sepse shefat i kishin aty), faktori kryesor që solli marrjen e Shkodrës nga rilindja, mungonte krimi ose shtabi elektoral i Becit. Ndërsa përsa i përket vendit që zgjodhe, më i përshtatshëm do ishte ndonjë resort i miqve të tu investitorë strategjik si Pëllumb Gjoka, sepse këta janë aleatët e tu të vërtetë e jo populli i Shkodrës.

Përtej premtimeve në fushatën e 14 majit 2023 dhe kërcënimit të turpshëm publik që “nëse nuk votoni rilindjen keni zero fonde”, në realitet në buxhetin e vitit 2024 nuk ka asnjë lekë për investime në Shkodër.

Asnjë fond apo fjalë për aksin tejet të rënduar Tiranë – Shkodër, as për segmentin Milot – Balldren, as për segmentin Muriqan – Lezhë.

Ndërsa ndryshimet në paketën fiskale të Bashkisë Shkodër janë një barrë e rëndë për bashkqytetarët shkodranë.

Dyfishim dhe rritje në maksimum i taksës së ndërtimit në infrastrukturë nga 4% në 8%.

Tarifat për lejet e zhvillimit dhe ndërtimit rriten deri në 10 fish.

Rritje deri në pothuajse dyfish të tarifës për shfrytëzim të hapësirës publike.

Shumëfishim i tarifës për shfrytëzim të hapësirës për tregjet e fruta perimeve nga 5 000 deri në 16.000 Lekë në muaj.

Këto janë fakte dhe shifra që shkodranët i vuajnë në kurriz, kjo është arsyeja pse Shkodra gjendet sot në vend të parë për numrin e personave të larguar.

Varfëria në Shkodër është ulur këmbëkryq, ky është realiteti. Të tjerat janë shfaqje bajate e fasadë e cila tashmë ka rënë pasi mbarë Shqipëria edhe ndërkombëtarët e panë se si e vodhe dhe dhunove Shkodrën.

Shpërndaje