Sekuestrimi i 39 hektarëve tokë/ Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimin për biznesmenin Pëllumb Gjoka, u arrestua gjatë operacionit “Metamorfoza”…

Shpërndaje

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për sekuestron e 39 hektarëve të tokë të biznesmenit, Pëllumb Gjoka.

Gjoka u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, pasi dyshohet se bashkëpunonte me grupet kriminale.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme në tetor të vitit të kaluar, vendosi sekuestro ndaj 39 hektarëve tokë, që gjendet në Pulaj të Velipojës, pronësia e të cilave dyshohet se u tjetërsua përmes falsifikimeve nga Pëllumb Gjoka, arrestuar prej korrikut të 2023-shit, së bashku me 14 të tjerë midis tyre një prokuror dhe dy zyrtarë policie.

Tokat që janë pasuri e llojit pyje, rezultojnë të regjistruara në emër të shoqërie tregtare dhe në emër të një të afërmi të Pëllumb Gjokës, deklaron SPAK.

Akuza shton se ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë u fituan me falsifikim nën bashkëpunimin e Gjokës me shtetas të tjerë që vijojnë të jenë në hetim.

Në janar 2023 Lule Zefi, trashëgimtare e Drane Hotajt e kallëzuan në SPAK paligjshmërinë dhe  kërkuan hetime për biznesmenin dhe për persona të tjerë. Por hetimet për akuza më të rënda duke nisur nga vrasja, heqje e paligjshme e lirisë, korrupsion dhe grup kriminal u regjistruan në muajt në vazhdim, mbasi Europol përcolli në SPAK informacione inkriminuese mbi përdorues të SKY, që dyshohen se kryenin biseda inkriminuese deri dhe porosi për vrasje.

Si përdorues të këtij aplikacioni, SPAK identifikoi  Behar Bajrin, Ervis Martinin, Pëllumb Gjokën, Denis Bajrin, Edmon Prekën, Nuredin Dumanin, Astmer Bilalin  por edhe përfaqësues të drejtësisë si prokurorin, Xhevahir Lita dhe zyrtarët e policisë, Oltian Bistri dhe Ardit Hasanbegaj.

Nga këto komunikime u zbardhën jo vetëm vrasje që kishin mbetur pa autorë, por gjithashtu u konfirmua se si drejtësia paguhej për të mbyllur çështjet.

Shpërndaje