Zbulohet një lokal në Koplik, ku organizoheshin lojëra fati, arrestohen dy persona…

Shpërndaje

Malësi e Madhe

Zbulohet një lokal në Koplik, ku organizoheshin lojëra fati Poker dhe me makineta.

Organizatorë të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, një 20-vjeçar që u vu në pranga dhe 35-vjeçari i shpallur në kërkim për plagosjen me armë zjarri, të kryer në Koplik, më datë 29.02.2024.

Sekuestrohen 3 makineta, 1 tavolinë Pokeri, 1 valixhe me çipsa dhe 2 pako me letra për bixhoz.

Si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve të tjera operacionale, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe u bë i mundur zbulimi i një lokali në Koplik, i cili ishte përshtatur për disa lojëra fati.

Gjithashtu, u bë i mundur identifikimi i organizatorëve të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, konkretisht, shtetasi A. K., 20 vjeç, banues në fshatin Vukpalaj, i cili u kap dhe u vu në pranga, si dhe shtetasi E. H., 35 vjeç, banues në fshatin Pjetroshan, i cili është aktualisht në kërkim, sepse dyshohet se më datë 29.02.2024, në Koplik, ka plagosur me armë zjarri pistoletë, shtetasin G. D., 32 vjeç.

Në ambientet e lokalit u gjetën 3 makineta, 1 tavolinë Pokeri, 1 valixhe me çipsa dhe 2 pako me letra për bixhoz, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e 35-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje