Në tetor të 2021-shit, transmetuam rastin e zotit Izmir Duraku, me detyrë specialist krimesh pranë policisë në Fushë-Arrëz. Ai tregoi se ishte akuzuar nga shtetasja Adriana Berisha, nga jetimorja e Shkodrës, se Duraku e kishte përdhunuar.
Sipas saj Izmiri e kishte çuar në një banesë dhe ajo kishte mbetur shtatzënë, duke u detyruar të abortonte. Adriana pretendonte, se ngjarja kishte ndodhur në vitin 2015. Izmir Duraku, u arrestua më 5 qershor 2020 dhe u lirua të nesërmen, pasi nuk kishte prova. Por dy ditë më pas, Izmiri u përjashtua nga policia pikërisht për këtë akuzë.
Prokuroria e Shkodrës hetoi dhe nuk e provoi akuzën. Madje, prokuroria bëri paralelizëm edhe me kallëzime të tjera, që kishte bërë vajza, të gjitha të paprovuara. Në të kundërt Adriana Berisha u procedua për kallëzim të rremë.
Sot, pas gati 3 vjetësh, Izmir Duraku tregon se ka në duar vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Shkodrës, që vërteton se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e pretenduar nga denoncuesja. Ky vendim tashmë i duhet Gjykatës Adimistrative të Apelit, në mënyrë, që Izmiri të marrë dëmshpërblim e të kthehet në punë. /tvklan.al