DPSHTRR dhe Rrugorja projekt-draft për patinat elektrike: Të mos lejohen nën 16 vjeç dhe të kenë kod unik për identifikim! Baka: Jeleku fosforeshent, i detyrueshëm

Shpërndaje

jë kod unik i njëjtë me numrin e shasisë në automjete po mendohet të jetë i detyrueshëm edhe për monopatinat elektrike të cilat qarkullojnë në rrugë, ndërsa parashikohet të vendosur edhe një moshë minimale për përdoruesit.

Burimet për Report Tv konfirmuan projektin draftin që po hartohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugor.

“Në diskutimet që kemi hasur kërkohet një regjistrim e kësaj kategorie, për të ditur se sa mjete të kësaj kategorie qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë. Diskutohet që mosha minimale të jetë 16 vjeç, por është ende herët sepse janë ekspertët ata që po e studiojnë projekt/draftin dhe do të dalin me konkluzionet përfundimtare”- u shpreh Gerhard Baka, specialist i qarkullimit rrugor.

Veç kaskës mbrojtëse, në projektin për ndryshime në Kodin Rrugor po shqyrtohet  mundësia që të tjera pajisje shtesë për sigurinë e përdoruesve të jenë të detyrueshme.

“Është shumë mirë që përdoruesit e biçikletave dhe këtyre kategorive të jenë të pajisur me pajisje shtesë, siç janë gjunjëzat dhe krahoret, kaska është e detyrueshme të përdoret, shpresojmë të vendosin dhe jelekun fosforeshent”- shtoi Baka.

Në shumë raste, motorët elektrike të cilët kanë një fuqi motorike më të lartë se monopatinat dhe biçikletat, qarkullojnë në korsinë e dedikuar për këto të fundit, duke u bërë shkak për aksidente.

“Ata duhet të kalojnë në krahun e rrugës dhe nuk duhet të qarkullojnë në korsinë e biçikletave sepse ajo është e dedikuar vetëm për çiklistët dhe patinat elektrike”- nënvizoi specialisti i qarkullimit rrugor.

Prej muajit gusht 2023 kur ka nisur aplikimi i masave administrative për monopatinat elektrike deri më 5 janar 2024, janë vendosur 296 gjoba, duke përfshirë të gjitha shkeljet si; “mos qarkullimi në korsinë e duhur”, “kalimi me semafor të kuq” apo dhe “mosmbajtja e mjeteve mbrojtëse”.

Viti 2023 u mbyll me 48 aksidente që përfshijnë monopatinat elektrike, me 31 të plagosur lehtë dhe 1 viktimë. Të tilla shifra dhe monitorimet e fundit nga Policia Rrugore kanë bërë që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë siç është dhe ndërhyrja në Kodin Rrugor.B.V/ReportTv.al

Shpërndaje