Aventura/ Davide Pekoreli, “Indiana Jones” italian rrezikon 12 vite burg në Shkodër…

Shpërndaje

Nga Boldnews.al

Davide Pekoreli mund të ketë parë shumë filma me kërkuesin e famshëm të thesareve, “Indiana Jones”. Por, ndryshe nga personazhi i Hollivudit, që zbulonte gjithnjë thesare, 48-vjeçari Pekoreli po gjen belanë në Shqipëri.

Ai rrezikon të dënohet me 12 vjet burgim, për pesë akuza penale: “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit”.

Prokurori i Shkodrës, Pierind Çukaj e ka thënë fjalën e tij dhe tashmë gjykata pritet të marrë vendimin, pasi më parë të dëgjojë edhe argumentat e mbrojtjes.

Pekoreli erdhi si një “nomad” në Shqipëri në janar të vitit 2021. U largua fshehtas nga vendi ynë, duke sajuar një histori vdekjeje, u kap në ishullin e Monte Kristos dhe rrezikon të rikthehet sërish në vendin tonë, por tashmë i prangosur.

Historia e Davide Pekorelit mbajti për disa muaj pezull jetën e Pukës, vendi ku ishte parë për herë të fundit italiani që kishte dështuar me biznesin në vendin e tij dhe kishte menduar se mund të bënte para të lehtë në Shqipëri.

Pasi dështoi me tentativat e tij në vendin tonë, i ndihmuar nga një banor i zonës, të cilin Prokuroria e Shkodrës nuk e identifikon në materialin e saj, Davide Pekoreli sajoi vdekjen e tij.

Për disa muaj, tentativat e autoriteteve për të zbuluar “trupin e pajetë” të italianit dështuan.

Atëherë kur policia shqiptare hoqi dorë nga kërkimet, homologët e tyre italiane e gjetën në një barkë pranë një ishulli në vendin fqinj, duke vijuar kërkimet e tij të pasukssesshme për thesare të harruara.

Mashtrimi

Akuza e parë që rëndon mbi Davide Pekorelin është “Mashtrimi”. Prokurori Çukaj argumentoi para gjykatës për këtë vepër penale:

“Ky shtetas ka përvetësuar pasurinë private, automjetin tip veturë, “Skoda”, me targa AA083 SY, në pronësi të kompanisë “Porche Leasing”, duke paraqitur fakte të rreme, pasi është paraqitur për të marr mjetin me targa AA083 SY me qera por në zbatim të planit të tij, nuk kishte ndërmend që në fillim që ta kthente më atë në përfundim të afatit që e kishte marr me qera duke mashtruar në këtë mënyrë kompaninë private”.

Më tej, në dosjen gjyqësore thuhet se, më datë 3 janar 2021, shtetasi italian Davide Pecorelli, ditëlindja 23.11.1975 është paraqitur personalisht pranë zyrës së kompanisë “Albania Airport Rent a Car” pranë aeroportit Nënë Tereza në Rinas, Tiranë për të marr me qera automjetin tip veturë, “Skoda”, me targa AA083 SY, duke krijuar besimin që në përfundim të afatit makina do të kthehet përsëri.

Por, siç shprehet Prokuroria e Shkodrës, ai, me anë të gënjeshtrës, “ka përvetësuar pasurinë, pasi autori i veprës penale, nuk kishte më qëllim të respektonte kontratën e qerasë, për të kthyer mjetin, duke e mashtruar në këtë mënyrë edhe kompaninë private”.

Shkatërrimi i pronës me zjarr

Në 5 janar 2021, Davide Pekoreli gjendet në Pukë, ku qëndroi për një natë në hotel. Të nesërmen, e cila ishte ditë e dielë, ai ka djegur makinën që kishte marrë me qera, në tentativë për të krijuar situtën e rreme të vdekjes së tij.

Pekoreli, i pyetur nëpërmjet letër-porosisë për episodin e djegies së makinës, ka deklaruar për prokurorinë shqiptare:

Më datë 6 janar, pasi u largova nga hoteli në Pukë dhe mora me vete edhe mostrat e bojës së flokëve që t’ua propozoja bizneseve dhe duke lënë të gjitha sendet e tjera në dhomën e hotelit Pukë ku po qëndroja dhe u largova rreth orës 10:00 të mëngjesit të datë 06.01.2021…

Në një zonë malore në zonën e Repsit dhe më pas përshkova të paktën 40 minuta rrugë tatëpjetë dhe rreth orës 17:00 vendosëm makinën Skoda buzë luginës dhe mora dy shishe me lëngë të ndezsshëm benzinë dhe ia derdha makinës dhe më pas derdha edhe një qese të vogël, në zonën e sedilës së shoferit që ishin kocka njerëzish. Gjithashtu hoqa edhe orën “Jaguar” nga dora dhe e vendosa ne sedilen e shoferit dhe vendosa edhe telefonin tim “Iphone” në sedilen e pasagjerit dhe më pas i vura zjarrin makinës Fabia Skoda dhe më pas u përpoqëm që ta shtynim makinën në shkëmbë që të simulonim një aksident rrugor por makina u bllokua dhe u larguam me shpejtësi ndërsa zjarri ishte ndezur”.

Në këtë pjesë të rrëfimit, Pekoreli përdor numrin “shumës”, duke lënë të kuptohet që këto veprime i ka kryer i ndihmuar nga dikush tjetër, që nuk përmendet në dosjen e prokurorisë së Shkodrës.

Sipas prokurorit, bazuar në aktet dhe provat e administruara rezulton që shkatërrimi i pronës është konsumuar në të gjithë elementët e kësaj vepre penale dhe “me qëllim të posaçëm manipulimin e ngjarjes, duke dashur të bëjë edhe më të besueshmë versionin që një kufomë mund të ketë vdekur brenda makinës”.

Dhunimi i varreve

Versioni i sajesës së “vdekjes” ka qenë i mirëmenduar nga Pekoreli. Para se të kryente djegien, ai ka siguruar disa kocka humane (njerëzore), të cilat i ka vendosur në bordin e automjetit, të cilin më pas e dogji dhe e hodhi në greminë.

Për këtë detaj, prokuroria e Pukës e akuzoi Pekorelin për kryerjen e veprës penale të “Dhunimit të varreve”.

Pasi Policia gjeti automjetin e djegur, u konstatua se brenda tij kishte mbetje kockore.

“Nga këqyrja brenda automjetit, nga eksperti mjeko-ligjor, në afërsi të sediljes së shoferit dhe konkretisht tek vendi i mbështetjes së këmbëve, në dyshemen e automjetit, është konstatuar prania e disa mbetjeve kockore në fazë djegie të avancuar”, thuhet në dosjen gjyqësore.

Sipas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor që mban datën 26 janar 2021, rezulton ndër të tjera se: “Eshtrat e objekt ekspertimi, të gjetura brenda automjetit, nga eksperti mjeko-ligjor, në afërsi të sediljes së shoferit dhe konkretisht tek vendi i mbështetjes së këmbëve, në dyshemen e automjetit, janë me origjinë njerëzore dhe i përkasin një skeleti të një njeriu të rritur, të moshës 40-50 vjeç…”, pra një moshë e përafërt me Davide Pekorelin.

Ekspertiza, gjithësesi, nuk arriti të zbulonte “kohën dhe shkakun e mirëfilltë të vdekjes së personit që i përkasin eshtrat e ekzaminuara. Po ashtu, ekspertiza konstatoi se “në eshtrat skeletike objekt ekspertimi vihet re mungesa e disa kockave…”.

Zbulimi i makinës së djegur dhe eshtrave brenda tij krijuan fillimisht dyshime të forta se i përkisnin Davide Pekorelit. Por, sërish, kishte diçka që nuk shkonte. Gjendja e kockave humane sugjeronte se vdekja e personit ishte më e hershme se sa koha e zhdukjes së italianit Pekoreli.

Pasi ai u gjet në Itali, u zbardh edhe detaji i mungesës së disa kockave në mjetin e djegur. I pyetur nga autoritetet italiane për llogari të prokurorisë në Shqipëri, Pekoreli deklaroi se “para djegies së makinës, hodha edhe një qese të vogla me kocka njerëzish në zonën e sediljes së shoferit”.

Kalimi i paligjshëm i kufirit

Pasi bëri gjithë këto veprime, tashmë Davide Pekoreli duhej të shndërrohej në një “fantazmë”. Duhet të ishte i padukshëm për çdo lloj autoriteti shtetëror, me qëllim që të konsiderohej i vdekur ose i zhdukur.

Në këtë mënyrë, u shpëtonte edhe disa halleve me borxhe që kishte në vendlindjen e tij. Veprimi i parë që duhet të ndërmerrte për të krijuar idenë e “fantazmës”-duhej të largohej nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë.

Prokuroria ka kryer verifikimet në sistemin TIMS për hyrje-daljet e tij nga Shqipëria. Të dhënat zyrtare tregonin se ai kishte hyrë në vendin tonë në 3 janar 2021 dhe nuk kishte dalë më. Pra, zyrtarisht, Davide Pekoreli ishte në Shqipëri, megjithëse nuk dihej asgjë për fatin e tij.

Në shtator 2021, pra rreth 8 muaj nga “zhdukja” e tij në Shqipëri, autoritetet italiane konstatojnë një gomone në vështirësi, pranë ishullit të Monte Kristos.

Ai iu prezantua karabinierëve me emrin e tij të vërtetë, Davide Pekoreli dhe deklaroi se kishte dalë me gomone për të gjetur thesare nën-ujore.

Pas verifikimeve, u zbulua se Pekoreli ishte shpallur “i zhdukur në Shqipëri”. Kjo situatë bëri të qartë faktin se 47-vjeçari kishte kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, veprim për të cilin tashmë kërkohet dënim me burg.

Në konkluzionet e tij, prokurori i çështjes kërkon dënimin me 9 vjet burgim për “Mashtrim”, 5 vjet burgim për “Dhunim varresh”, 3 vjet burgim për “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, 3 vjet burgim për “Shkatërrim të pronës me zjarr” dhe po 3 vjet burgim për “Kalim të paligjshëm të kufirit”.

Në bashkim të këtyre dënimeve, prokurori Pierind Çukaj kërkon nga gjykata dënimin e vetëm prej 12 vitesh burgim për Davide Pekorelin.

Shpërndaje