VIDEO/ Shpëtohen pas 12 orësh 5 alpinistët e bllokuar në Bogë…

Shpërndaje

Bogë, Malësi e Madhe

Pas 12 orësh operacion kërkim-shpëtimi, në kushte të vështira atmosferike dhe gjeografike, Policia ndihmon një grup alpinistësh të cilët kishin mbetur të bllokuar në një terren malor pasi njëri prej tyre e kishte të pamundur lëvizjen sepse kishte dëmtuar këmbën.

Operacioni i kërkim-shpëtimit, gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, u krye nga Policia Alpine e Forcave Kombëtare të Sigurisë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe dhe me Emergjencat Civile, si dhe një grup vullnetarësh.

Rreth orës 16:50, të datës 04.02.2024, është marrë njoftim se një grup prej 5 alpinistësh shqiptarë kishin mbetur të bllokuar gjatë eksplorimit, në vendin e quajtur “Maja e Çardakut”, Bogë, pasi njëri prej tyre kishte dëmtuar rëndë këmbën.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë dhe ato mbështetëse kanë organizuar një operacion kërkim-shpëtimi dhe pas 12 orësh kërkime gjatë natës dhe gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, është bërë e mundur gjetja dhe shpëtimi i grupit të alpinistëve. 26-vjeçari që kishte dëmtuar këmbën është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shkodrës është e angazhuar maksimalisht për garantimin e sigurisë së turistëve dhe vizitorëve, në vendin tonë. Gjithashtu, fton ata dhe qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.

Shpërndaje