Mustafa Aljiburi, një nga mafiozët më të mëdhenj të Irakut dhe një nga drejtuesit e organizatës së njohur si “Dhelprat e Kurdistanit” është vrarë në Bagdad nga një shtetas shqiptar.
Aljiburi, i cili ka patur edhe pseudonimin Benzema, ka qenë ish-krahu i djathtë i Rawa Majid dhe ka luajtur një rol qendror në luftën e përgjakshme të bandave që shpërtheu në Suedi vjeshtën e kaluar.
Të hënën e 8 Janarit, ai u ekzekutua me breshëri plumbash teksa lëvizte me një makinë të blinduar në lagjen Ameria të Bagdadit, Irak. Autor i kësaj ngjarje është një 19-vjeçar shqiptar, por me nënshtetësi suedeze, i cili pas vrasjes u largua nga vendi i ngjarjes me motoçikletë por më pas u arrestua nga policia.
Mediat suedeze thonë se në mesin e viteve 90’ 19-vjeçarit shqiptar dhe familjes së tij iu dha leja e qëndrimit të përhershëm pasi i kishin ikur gjakmarrjes në Shqipëri.
19-vjeçari ka qenë i dënuar disa herë më parë, për vepra të rënda me armë dhe drogë. Në vitin 2022, ai u dënua me dhjetë muaj burg në një qendër kujdesi për të rinjtë pasi kishte mbajtur një armë në një shkollë të mesme dhe kishte qëlluar në pyll. Ai ka qenë i përfshirë në krimin e organizuar dhe në mesin e kriminelëve të rinj në qytetin ku jeton ai cilësohet si “person problematik”.
Në një hetim të mëparshëm, Shërbimi i Provës e cilësoi 19-vjeçarin si një person që kalon shumë kohë me kriminelët. Në vitin 2021, ai thuhet se ka përdorur çdo ditë drogë por në vjeshtën e vitit 2022 deklaroi se e kishte ndërprerë plotësisht.
Tani i riu shqiptar që është arrestuar në Bagdad, rrezikon dënimin me vdekje. Kjo pasi vrasja në Ameria rezulton se është planifikuar dhe realizuar me qëllim vrasjen e viktimës. Ligji i Irakut e dënon një rast të tillë me vdekje.
Për pjesëmarrje në vrasjen e Mustafa “Benzema” Aljiburit në Irak, përveç 19-vjeçarit, mësohet se janë arrestuar edhe dy persona, po ashtu shtetas suedezë. Sipas mediave suedeze bëhet fjalë për një 25-vjeçar nga veriu i Suedisë dhe një 23-vjeçar nga zona e Stokholmit.