Kjo ishte përgjigja që kryeministri Rama i dha nga mbledhja e qeverisë denoncimit të bërë nga Partia Demokratike. Më herët, nga selia blu Lulzim Basha akuzoi qeverinë se ka shpërndarë 1.2 milionë maska të skaduara për bluzat e bardha, duke i bërë ata burim të përhapjes së virusit vdekjeprurës.
“Kjo është një kuti standarde e maskave që është pajisur stafi, nëse hapet kjo pullë tregon se data e skadencës është 2011. Me maska të skaduara personeli shëndetësor është i pambrojtur. Rrezikohen ata, familjet e tyre dhe pacientët.”
Por Kryeministri Rama tha se këto maska janë dhuratë nga Kanadaja për një shoqatë bamirësie dhe se pavarësisht datës së skadencës nuk janë të rrezikshme.
“Janë maska që përdoren gjerësisht pas datës së skadencës, jashtë sallave kirurgjikale. Që do të thotë jo sepse në salla janë të rrezikshme, por se nuk kanë të gjithë efektshmërinë tyre dhe janë maska që zëvendësojnë disa herë më mirë facoletën apo garzat që vendosen përpara fytyrës për vetëmbrojtjen në kontaktin gjatë një gjendjeje të caktuar gripale. Të thuash që janë të rrezikshme, do të thotë që të duash të përhapësh panik apo të harrosh se nuk është koha për të luftuar me qeverinë”.
Pajisja e ekipeve mjekësore me maska të skaduara për kreun e opozitës është vepër e rëndë kriminale, ndaj ftoi organin e akuzës të veprojë pa vonesë.
“Është kriminale dhe ftoj Prokurorinë të nisë menjëherë hetimin për vënien në përdorim të maskave të skaduara.”
Në kundërpërgjigje të akuzave, Kryeministri Rama publikoi certifikatën e lëshuar nga autoritetet kanadeze, dukë thënë se pavarësisht datës së skadencës maskat nuk janë të rrezikshme.
“Nuk keni përgjegjësinë më minimale ndaj atyre që përfaqësoni. Rrëmoni si minj për të nxjerrë të paqenat edhe i hidhni njerëzve në këto momente helm. Ju turbulloni vështrimin dhe dëgjimin me shpifje. Ja ku është certifikata. Nuk mundet të vijnë me trajlera pajisje mjekësore që nuk mund të përdoren apo që akoma më keq janë të rrezikshme”.
Kryeministri Rama i kërkoi opozitës të heshtë dhe t’i ruajë akuzat pasi të mbarojë epidemia e koronavirusit, pasi kjo është luftë dhe aspak një lojë.
Tv Klan