Policia ka gjetur ditën e sotme edhe pjesën e trupit të dekompozuar, pranë kokës që u gjet mbrëmjen e djeshme në Memorialin e Çamëve, pranë xhamisë, në Xarrë të Konispolit.
Trupi ka qenë i groposur, teksa eksperti mjeko-ligjor i Sarandës, Aranit Taka, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes po kryen veprimet e para.
Ndërkohë, koka u zbulua mbrëmjen e djeshme pas një informacioni të marrë nga Polici. Në mbetjet kockore ka ende inde të buta dhe pritet të ndihmojnë në identifikimin e viktimës. Kjo është arsyeja që besohet se keto mbetje kockore janë groposur gjatë muajve të fundit.
Mësohet se në vendin e ngjarjes ndodhen ekspertët e kriminalistikës, drejtues të Policisë së Sarandës dhe Vlorës si dhe efektivë të komisariatit të Sarandës dhe postës policore të Konispolit.
Burime për mediat bëjnë me dije se dyshimet kryesore janë se koka e gjetur gjysmë e dekompozuar mund t’i përkasë Fatmir Sulovarit alias Krasniqi apo Leonard Thodhorit i njohur si “Koçole”, që rezultojnë të zhdukur prej 6 prillit 2023.