Kuvendi përjashton 26 deputetë të opozitës pas bllokimit të seancës…

Shpërndaje

Deputetët e opozitës bllokuan zhvillimin e seancës plenare të enjten, në shenjë proteste pasi në seancën e mëparshme mazhoranca rrëzoi kërkesat e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare.

Zyra e shtypit e Kuvendit njoftoi shtyrjen e seancën  “për shkak se deputetë të opozitës bllokuan hyrjen në sallë, vendin ku ulet kryetarja e Kuvendit dhe kabineti qeveritar, si dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve”.

Por deputetët demokratë vijuan të qëndronin në sallë, duke pretenduar se socialistët do të mblidheshin në mënyrë të njëanshme për të vijuar me rendin e ditës nëse ata largoheshin.

Situata u tensionua më tej pasi në një mbledhje urgjente, deputetët e PS-së në Sekretariatin për Procedurat dhe Etikën vendosën masë disiplinore, përjashtim 10 ditë nga pjesëmarrja në seancat plenare, për  26 deputetë të opozitës.

Në oborrin e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi u tha gazetarëve se kjo nuk “ishte forma e duhur “, por opozita ishte detyruar të përdorë këtë rrugë, pasi asaj i është bllokuar “çdo rrugë parlamentare”.

“Brenda një jave janë rrëzuar 3 kërkesat tona për ngritjen e komisioneve,” tha Bardhi, duke iu referuar kërkesave për hetim parlamentar për koncesionet në fushën e shëndetësisë dhe rrjedhjen e të dhënave personale, dhe për përbërjen e komisionit për reformën zgjedhore.

Në një situatë të tensionuar në seancën e një jave më parë, socialistët rrëzuan me votë kërkesën e opozitës për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, si dhe 2 kërkesa për ngritjen e komisioneve hetimore.

Ish-kryeministri Sali Berisha tha se “kurrë në 32 vite, nuk i është caktuar përfaqësuesi i opozitës në komisionin e reformës zgjedhore”, duke e cilësuar përfaqësuesin aktual në këtë komision, Enkelejd Alibeajn, si “peng” të kryeministrit Edi Rama.

Grupimi më i madh i deputetëve të opozitës,  kishin kërkuar ndryshimin e  bashkëkryetarit të komisioni bipartizan, duke zëvendësuar Alibeajn me Oerd Bylykbashin, pas prishjes së balancave brenda kësaj partie.

Hetimi parlamentar për 4 kontratat publike në sektorin e shëndetësisë, që përllogariten në vlerën totale rreth 450 milionë USD, u kërkua nga 45 deputetë të opozitës. Tri prej këtyre kontratave janë në hetim nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, për abuzim me fondet publike dhe shkelje ligjore.

Që nga komisioni hetimor për kontratat e inceneratorëve, mazhoranca ka kundërshtuar çdo kërkesë tjetër të opozitës për hetime parlamentar, dhe pse ky është një instrument ligjor që ka në dorë opozita për të kontrolluar qeverisjen.

Sipas administratës së Kuvendit, deputetët e përjashtuar janë: Sali Berisha, Flamur Noka, Albana Vokshi, , Xhelal Mziu, Gazment Bardhi, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Saimir Korreshi, Lindita Metaliaj, Ramadan Likaj, Luan Baçi, Lefter Gështenja, Ina Zhupa, Helidon Bushati, Isuf Çela, Asllan Dogjani, Bujar Leskaj, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Greta Bardeli, Dhurata Çupi, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Kasëm Mahmutaj, Tomor Alizoti dhe Qani Xhafaj.

Shpërndaje