Amnisti për të burgosurit, Ministria e Drejtësisë nis hartimin e projektligjit…

Shpërndaje

Ministri i drejtësisë Ulsi Manja përmes një postimi në rrjetet sociale ka njoftuar nisjen e punës për hartimin e një projektligji për amnistinë e të burgosurve.

Postimin e ka shoqëruar edhe me foton e projektligjit ndërsa shkruan se “premtimet nuk harrohen”. Në projektligj parashikohen edhe kategoritë e personave që përfitojnë nga kjo amnisti.

Pritet që nga kjo amnisti të përfitojnë kategoritë e të dënuarve për vepra jo të rënda penale, ata që janë dënuar deri ne 3 vite burg, ata që u kanë mbetur edhe dy vite burg nga dënimi i vuajtur. Po kështu përfitojnë edhe gratë të cilat nuk janë dënuar për krime brenda familjes.

Qëllimi i këtij ligji është të përjashtojë nga vuajtja e dënimit dhe ndjekja penale tërësisht ose pjesërisht, të gjithë personat që plotësojnë kriteret”, thuhet në draft.

Aktualisht në të gjitha burgjet e vendit janë 4862 të dënuar dhe paraburgosur.  Me vendim të formës së prerë janë 2214 persona dhe në paraburgim janë 2648 persona.

Pritet që nga kjo amnisti të përfitojnë rreth 600 të burgosur. Pas përfundimit drafti do të kalojë në qeveri dhe më pas në kuvend.

Shpërndaje