Hotelet dhe resortet me katër yje, pronat fetare dhe ato me kryefamiljar që janë me pension pleqërie ose indvaliteti janë disa nga kategoritë që do të përjashtohen nga taksa e pasurisë.
Projektligji “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” tashmë është hedhur në konsultim publik dhe pritet që me nisjen e sesioni të ri parlamentar të kalojë në Kuvend për t’u diskutuar dhe më pas miratuar. Në draft thuhet se përjashtim nga kjo taksë do të ketë edhe për pronat shtetërore që janë dhënë me qira.
Lehtësi pritet të ketë dhe për të gjitha ato familje që trajtohen me asistencë sociale, si dhe për ato ku kryefamiljarët janë të paaftë për të punuar dhe për të siguruar të ardhura. Por nuk mbaron me kaq. Nga kjo nismë ligjore përjashtim nga taksimi do të ketë dhe për ato ndërtesa të cilat shërbejnë si banesa sociale si dhe për pasurit kulturore.
Por benefitin më të madh nga ky projektligj e kanë hotelet dhe resorte me katër dhe pesë yje që gëzojnë statusin special sipas përcaktimit të legjislacionit në fuqi, dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht si “Brand Name”.