Rriten përsëri çmimet e karburanteve…

Shpërndaje

Eshtë rritur me rreth 4 lekë për litër çmimi i karburanteve në tregun e shitjes me pakicë. Brenda natës janë ndryshuar pothuajse të gjitha tabelat në pompat e tregtimit me pakicë të këtij produkti.

Pak kohë më pare, televizioni publik pasqyroi ndryshimin e menjëhershëm, në të njëjtën ditë dhe me të njëjtën vlerë në tregun e shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës. Rritja atëherë me 3 lekë për litër, u tha se është objekt për Autoritetin e Konkurrencës, për të parë nëse ka vendosje horizontale apo vertikale të çmimeve në këtë treg. 

Shoqata e Shoqërive Hidrokabureve ka kundërshtuar opinionet për një rritje abuzive të çmimit, duke argumentuar se rritja e çmimit është efekt i taksave! 

Televizioni publik vërtetoi pranë autoriteteve se nuk ka rritje të taksave për produktet hidrokarbure dhe se një rritje e planifikuar është ajo që pritet të ndodhë në janar 2024, kur akciza korrektohet me inflacionin vjetor.

Nuk është herë e parë që ndodh një gjë e tillë në tregun shqiptar të shitjes me pakicë të karburanteve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, para funksionimi të Bordit të Transparencës, kompanitë hidrokarbure llogaritej të fitonin deri në 25 lekë/litër. Bordi e kufizoi me akt normativ këtë normë fitimi në 3 lekë për shitjen me shumicë dhe 12 lekë për shitësit me pakicës, duke e çuar normën e fitimit në vetëm 15 lekë për çdo litër dhe duke i kthyer publikut 10 lekë për litër që pasyrohej si vjedhje e konsumatorit në çmim.

Pavarësisht ndryshimeve që ndodhin në Bursën e Mesdheut, ku kuotohet nafta shqiptare, pavarësisht nga ndryshimet e dukshme në kursin e këmbimit të dollarit amerikan, me të cilin blihet nafta në import, çmimet në pompa ndryshojnë sipas oreksit të tregtuesve! 

Në të gjithë Europën, në pikun e sezoneve turistike, kur rritet konsumi, ulen çmimet! Në Shqipëri ndodh e kundërta!  

Shpërndaje