Presidenti turk shënon 100-vjetorin e Traktatit të Lozanës…

Shpërndaje

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka shënuar 100-vjetorin e nënshkrimit të Traktatit të Lozanës, paktit historik të vitit 1923 që njohu shtetin modern turk, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim, presidenti Erdoğan theksoi se “sot është 100-vjetori i Traktatit të Paqes të Lozanës, i cili përbën një nga pikat kthese në historinë tonë”.

“Vullneti i kombit tonë të nderuar për pavarësi të plotë u shfaq shumë fuqishëm gjatë procesit të negociatave dhe nënshkrimit të Traktatit të Paqes të Lozanës. Pavarësisht gjithë varfërisë dhe pamundësisë, ky vullnet që e çoi luftën tonë të pavarësisë drejt fitores, ende na udhëheq, na ndriçon rrugën tonë dhe na jep vendosmëri për të luftuar përballë vështirësive”, tha Erdoğan.

Ai tha se Türkiye do të vazhdojë përpjekjet e saj për të vendosur paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

“Derisa mbrojmë me vendosmëri të drejtat që kemi fituar me Traktatin e Lozanës, ne do të forcojmë fitimet e vendit tonë me lëvizje të reja”, shtoi ai.

Presidenti turk gjithashtu shprehu respektin e tij për Gazi Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesin e Republikës së Türkiyes, së bashku me shokët e tij, dëshmorët dhe veteranët.

Traktati i Lozanës, i nënshkruar nga Türkiye nga njëra anë dhe Britania, Franca, Italia, Greqia dhe aleatët e tyre nga ana tjetër, njohu shtetin modern turk dhe zëvendësoi Traktatin Sevres të vitit 1920, një pakt i padrejtë i imponuar ndaj Perandorisë Osmane pas Luftës së Parë Botërore.

Shpërndaje