Në shoqërinë e Zenel Drangut dhe Angjelin Dabërdakut vizitova Muzeun e Dëshmisë dhe Kujtesës në Shkodër. Ish-Dega e Brendshme njihet si një nga burgjet më të egra të regjimit komunist ku janë burgosur e torturuar mijëra qytetarë dhe personalitete të kombit si: At Zef Pëllumbi, Imzot Ernest Çoba, At Benardin Palaj, Ahmet dhe Myfit Bushati, 22 vjeçarja Marie Tuçi, që u tortua çnjerëzisht derisa dha shpirt e shumë të tjerë.
Tek kalojmë para birucave, dhomës së hetuesisë dhe dhomës së torturave z. Drangu i dënuar me 20 vjet burg për tentativë arratisje, dhe z. Dabërdaku, i dënuar me 8 vjet burg për agjitacion dhe propagandë, tregojnë për torturat mizore që bëheshin në këto ambjente, por dhe për qëndresën me kurajo mbinjerëzore e dinjitet të të arrestuarve dhe të burgosurve. Atmosfera e terrorit dhe çnjerëzores dhe kumti i sakrificës për liri dhe dinjitet i lënë vendin njëra-tjetrës me çdo hap që hedhim.
Shoqëria jonë u ka borxhe të mëdha të përndjekurve politikë. Ende shumë nga familjet e të ekzekutuarve nuk kanë gjetur eshtrat e të parëve. Është i domosdoshëm nderimi i sakrificave të tyre përmes ngritjes së muzeut në kujtim të viktimave të komunizmit dhe monumenteve të tjera të kujtesës. Rishikimi i teksteve shkollore dhe edukimi i rinisë shqiptare me mësimin e hidhur e të kaluarës është një investim që ajo të mos përsëritet më kurrë! Ndërsa për PD dhe demokratët ndarja me këtë kapitull të dhimbshëm vjen pas 3 dekadash vonese dhe hipokrizie. Nuk do të lejojmë në stukturat drejtuese të PD njerëz që kanë lidhje me historinë më të dhimbshme të shqiptarëve që ka qenë diktatura komuniste.
Që historia e genocidit komunist në Shqipëri, të mos gjejë kurrë jo vetëm asnjë avokat, por asnjë personazh që ka lidhje me atë regjim duhet rishikuar legjislacioni për pastërtinë e figurës së zyrtarëve. Përfaqësimi politik i të përndjekurve në programin dhe ekipin e Partisë Demokratike është garanci për të nesërmen.