Ndonëse duhet edhe një javë nga konstituimi i Benet Becit si kryebashkiak i Shkodrës, puna për një Shkodër që kërkon të rilind, ka nisur. Në hapat e parë të këtij ndryshimi të madh do të jetë edhe aksioni për pastrimin e pikave atraktive turistike të qytetit.
Duke nisur nga dita e nesërme, e shtunë 10 qershor 2023, zonat e Velipojës, Ura e Bunës, Shiroka dhe Zogaj do të përfshihen në një aksion pastrimi. Kjo ndërhyrje do të realizohet me përfshirjen e Forcave të Armatosura, si bashkëveprim mes Ministrisë së Turizmit e Mjedisit, Ministrisë së Mbrojtjes, Perfektit dhe Bashkisë Shkodër.
Me synim mbrojtjen e mjedisit e shëndetit të njerëzve dhe si domosdoshmëri për mbarëvajtjen e sezonit turistik, aksioni do të përfshijë: pastrimin e skarpateve në të dy anët e Urës së vjetër të Bunës, përroit Qendër- Shirokë. Për të vijuar me pastrimin e mbetjeve të hedhura përgjatë rrugës Shirokë –Zogaj, gjithashtu edhe mbetjeve sipërfaqësore në Vilu, në zonën e hidrovorit në Velipojë. Për të finalizuar me sistemimin e territorit dhe mbulimi i sipërfaqes, pastrimin e inerteve të objekteve të prishura nga IKMT (IMVT). Mbarëvajtja e këtij aksioni disa ditor ka nevojë për mirëkuptimin e qytetarëve.
Kryebashkiaku Benet Beci shpreh besim të plotë se të gjithë duam një Shkodër të pastër, ndaj jo vetëm në aksione të këtyre përmasave, por çdo ditë, vëmendja e shtuar e secilit prej nesh na siguron cilësi më të mirë jetese dhe mbrojtje të mjedisit. Kjo nismë është rrugëtimi i një udhe të gjatë për të implementuar një projekt të madh të kthimit të Shkodrës shkodranëve, për vlerësimin e qytetarisë dhe vlerave të këtyre banorëve të treguar me vullnet dhe votë të lirë më 14 maj.