Çfarë Brazili! Richarlison, njeriu nga i cili pritej më pak, bëri më shumë por në total, Selecao shkëlqeu në ndeshjen e fundit të raundit të parë të fazës së grupeve. Është e vërtetë që fitoi vetëm 2-0 por loja që tregoi ndaj Serbisë është për t’u mbajtur shënim.
Sulmuesi i Tottenham realizoi një supergol për të vendosur në kasafortë suksesin e skuadrës së trajnerit Tite, një nga favoritet e këtij botërori. Sukses që forcon pozitat e skuadrës së artë në kërkim të trofeut të gjashtë të Kupës së Botës, 20 vite pasi e bënë një gjë të tillë në Kore dhe Japoni.
Rezultat i ngjashëm me atë të vitit 2018 kur skuadrat ishin shortuar në grupin e Rusi 2018 por këtë herë, Brazili bindi edhe më shumë me lojën agresive dhe futbollin spektakolar, duke dominuar Serbine pothuajse inekzistente në fushë. Me këtë fitore, Brazili ngjitet në vendin e parë të grupit G me golavarazh më të mirë se Zvicra që kaloi minimalisht Kamerunin.