Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka ripërsëritur urdhrin e vitit të shkuar drejtuar policisë për të shkatërruar çdo rrënjë kanabisi. Kreu i dikasterit të rendit tha se në të kundërt efektivat e thjeshtë dhe drejtuesit e policisë do mbajnë përgjegjësi. Pas urdhrit të 2019 fenomeni jo vetëm që nuk u zhduk, por sipas Lleshajt u proceduan dhjetëra zyrtarë të lartë për implikim në kultivimin e kanabisit.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka vendosur një afat të ri Policisë së Shtetit për shkatërruar çdo rrënjë kanabisi në të kundërt paralajmëroi se strukturat e rendit do të mbajnë përgjegjësi deri tek drejtuesit.
Lleshaj: Çdokush që është përgjegjës për territorin e vendit tonë duhet të mbajë përgjegjësi që ky territor të përdoret vetëm për çështje të ligjshme, ku kanabisi nuk përfshihet. Muaji prill do të jetë muaji ku të gjithë do të jenë të gatshëm të japin llogari për punën e kryer.
Lleshaj gjithashtu pranoi se pavarësisht urdhrit të vitit të shkuar, një numër i lartë zyrtarësh janë proceduar penalisht për kultivimin e kanabisit.
Lleshaj: Është një numër i lartë i zyrtarëve shtetëror të njësive të pushtetit vendor, të pyjeve,vetë policisë të cilët janë të proceduar penalisht për mosushtrim të përgjegjësive dhe kompetencave për shpërdorim detyre.
Ministri i Brendshëm i dha këto porosi gjatë takimit me inspektoratin kombëtar të mbrojtjes së territorit, strukturë e cila tashmë do të drejtohet nga policia e shtetit.
Sipas ministrisë fokus kryesorë do të ketë përveç ndërtimeve pa leje edhe ujin, territorin, pyjet, por edhe hapësirat në plazhe, që mund të zaptohen në sezonin turistik.