Rreth 10 mijë persona u punësuan përgjatë tremujorit të dytë të këtij viti.
Sipas të dhënave të INSTAT, punësimi u rrit me 1.4 për qind në krahasim me tremujorin e parë të vitit dhe me 4.3 për qind në krahasim me tremujorin e dytë të 2021-shit.
Rritjen e udhëhoqi sektori i industrisë me 7.1 për qind më shumë se viti i kaluar, bujqësia me rreth 5 për qind dhe shërbimet me 2 për qind.
Shkalla e papunësisë u ul në 11.1 për qind, nga 11.4 për qind që ishte në tremujorin e parë të vitit. 10.5 për qind e personave të aftë për punë klasifikohen ‘të papunë të dekurajuar’.
INSTAT thotë se në tremujorin e dytë punëdhënësit përgjithësisht u kanë indeksuar inflacionin punonjësve. Paga mesatare mujore bruto u rrit me 7 për qind, duke shkuar në rreth 60 mijë lek, ose 2500 lek më shumë se tremujori i parë.
Periudha përkon me paketën e parë anti-krizë të qeverisë, që vendosi një fond prej 6.1 mld lekësh si ndihmë financiare për shtresat në nevojë dhe sektorët e prekur më fort nga rritja e çmimit të naftës.
Profesionet më të paguara mbeten në sektorin financiar, banka, fonde dhe në fushën e sigurimeve. Më pas ndjek sektori i informacionit dhe komunikimit, sektori i ndërtimit dhe administrata shtetërore.