Të kolovitur mes dy dimensioneve…

Shpërndaje

Nga Redi Shehu

Çfarë e shtyn njeriun i cili i përmbytur në një tajfun çrregullimesh shumë shtresore dhe shumë përmasore, vazhdon të ecë në të përditshmen e tij me pothuaj të njëjtin nivel optimizmi të përdorur si pelerinë kundra qullosjes së pesimizmit dhe rutinës vrasëse ? Shkalla e madhe e të padrejtës e së mbrapshtës dhe e skiçrealitetit tonë, në fakt do të duhej të çarmatoste çfarëdolloj qënieje humanoide me shpejtësi marramendëse, e megjithatë, përsëri e gjejmë veten dhe të tjerët që vazhdojnë të kapen pas një të ardhmeje imagjinare e cila kapërcyeshëm ndodhet në anën tjetër të realitetit. Është pikërisht ky sekreti, i cili jep energji për të vazhduar tutje e për t’i thenë jo, asaj që nuk përputhet me pritshmërinë tënde, është ekzistenda e dy botëve bashkëshoqëruese tonat të cilat janë, e tashmja konkretja, kokëfortja dhe nga ana tjetër e pritshmja , idealja, e mundshmja perfekte.
Me pak fjalë, ne gjallojmë mes së tashmes kokëfortë problematike e depresive dhe botës së të mundshmes, e cila sheqeroset nga mijëra projekt-ide në kokat tona, të asaj se si gjithçka duhet të jetë. Kështu mes rrugës ku ecën dhe rrugës ideale në mendjen tënde, mes shtëpive ku shumica banojnë dhe shtëpive të shndritshme të mendjes plot luks e dritë, mes rrobave që ke veshur dhe atyre që parfumojnë në imagjinatën tënde, mes makinës që ke dhe asaj që do të doje të kishe, mes punës plot stres dhe punës ideale të pritshme e plot begati, mes qytetit që jeton dhe atij të ëndrrave, të atij që do të doje të ishte, mes portofolit të lehtë nga boshllëku dhe atij imagjinar e çudibërës, mes këtyre mijëra gjërave që ke dhe atyre mijërave të tjera që do të doje të kishe, gjendet hendeku i madh mes të mundshmes dhe faktikes.
Të kolovitur mes këtyre dy dimensioneve, shpesh nuk e kuptojmë se rendja e shkujdesur me imagjinatën tonë drejt të mundshmes, duke nxituar të kapim atë që Platoni do ta quante “bota e ideve”, dëmton vetë të tashmen, sepse rendja drejt të pamundshmes e kthen praktikisht realitetin në një kalvar sorollatjesh e përhumbjesh. Ne jetojmë mes së tashmes insistuese, e ndërtuar nga gabimet tona, dhe përpjekjeve për të zbritur të mirën e mundshme nga bota e ideve në të përditshmen tonë. E tashmë kjo kontradiktë mes realitetit insistues që të tërheq, dhe të mirës së mundshme që të josh, vjen edhe gabimi. Gabimi në manierizmin e zbritjes së perfektes në botën e të gabuarës. Kështu teorikisht jemi të ditur në principe, por jemi të varfër në praktikë.
Problemi merr formë përsa kohë secili prej ekstremeve e tërheq njeriun në përhumbjen e tij. Si në rastin kur materializmi ikanik dhe realiteti i serte e problematik e tërheq individin me gjithë forcën në gropat e veta thithëse, ashtu edhe kur e mira mundshme, idealja perfekte e tërheq lart atë drejt avullimit të pafund dhe abstrakt, atëhere në të dyja rastet individi bëhet pjesë e ekstremit duke humbur nga ekuilibri dhe sensi i masës.
I pari është ekstrem i materiales insistuese plot kurthe të pashpirta, ndërsa i dyti është ekstrem i shpirtit pa bazamant, plot rreziqe devijimi e katandisjeje. Ndaj edhe përjetimi i pashmangshëm i këtyre dy dimensioneve bashkëshoqëruese, në të përditshmen tonë, kthehet në sukses kur moderimi dhe sensi i masës këpusin vargojnjtë e ekstremizmit të secilës anë, kur vija ndarëse mes dy botëve transformohet në një të mesme plot begati, një motor optimizmi ekuilibrues me sens real.

Shpërndaje