Kur nuk ke punë thotë i vjetri luej derën. Mirëpo, nuk ka të vjetër që këtë ta ketë thanë për ndonjë qeveri askund në botë dhe asnjëherë në histori. Nuk ka qeveri që nuk ka punë, e që i duhet me luejtë kot derën. Qeveria nëse kryen mirë punët që i takojnë, nuk ka kohë e as nevojë me marrë përsipër përgjegjësi shtesë.
I vjetri thotë gjithashtu edhe se fshati që duket nuk do kallauz. Pra, varfëria, mjerimi e varfërimi i qytetarëve dhe taksapaguesve është orientimi më i qartë dhe i pagabueshëm edhe mbi pasurinë e pasurimin e pakicës. Të gjitha rrugët të çojnë tek institucioni që ka thesin e taksave të qytetarëve dhe ai institucion në të gjithë botën është qeveria. Nëse qytetarët varfërohen përditë prapë të gjitha rrugët të çojnë tek qeveria. Nëse ata pasurohen me të drejtë apo pa të drejtë, prapë të gjitha rrugët të çojnë tek i njëjti vend.
Detyra e çdo qeverie është të justifikojë varfërinë e qytetarëve. Pra, me dhanë arsyet ose më saktë me dhanë llogari pse qytetarët e taksapaguesit janë të varfër, dhe pse varfërohen gjithnjë e më shumë. Pasurinë e tyre qytetarët e justifikojnë vetë dhe e shqyrton ligjshmërinë e saj drejtësia. Kështu është gjithkund e kështu ka qenë gjithmonë, përveçse në Shqipërinë tonë.
Ardian MUHAJ