Turqia vazhdon mbështetjen për Policinë e Shqipërisë

Shpërndaje

Turqia vazhdon të ofrojë ndihmë për Policinë e Shqipërisë, duke dhuruar pajisje dhe mjete të ndryshme sidomos për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendësministri i Brendshëm i Turqisë, Mehmet Ersoy, gjatë vizitës në Shqipëri, u takua me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj si dhe me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, ndërsa ishte i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të ndihmave të Turqisë për Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që janë pjesë e Policisë së Shqipërisë.

Zv.ministri i Brendshëm i Turqisë, Mehmet Ersoy, në fjalën e tij të mbajtur në ceremoninë ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, që u organizua në Repartin Ndërhyrjes së Shpqjtë-Tiranë, tha se është i lumtur që po zhvillon këtë vizitë, për ti ardhur në ndihmë Shqipërisë. 

“Kemi një shprehje popullore që thotë: ‘Zemra nuk kërkon as çaj dhe as sobën e çajit, por zemra kërkon dashuri dhe respekt. Për ne kjo ceremoni është një shkak që na bashkon dhe në të njëjtën kohë ky takim është në vazhdën e solidariteti dhe qëndrimit pranë njëri tjetrit kur kemi nevojë gjithmonë si njerëz të së njëjtës gjeografi”, tha Ersoy. 

Më tej gjatë fjalës së tij, Ersoy, tha: “Uroj që kjo paketë ndihmash me pajisje ta përdorni në ditë të mira, gjithmonë duke eliminuar apo minimizuar të keqen. Ne nuk e shikojmë si dhuratë ndihmën, por ajo që duhet të kuptojmë qartë është që ne mes njëri-tjetrit ndajmë ndjenja vëllazërore. Ajo që duhet ta dini shumë mirë dhe ju është që, nëse ne jemi të sigurtë edhe ju duhet të jeni të sigurtë dhe jeni të sigurtë dhe anasjelltas”. 

“Meqenëse jemi pjesë e kësaj gjeografie dhe ndajmë të njëjtin fat jemi të detyruar të jetojmë në një solidaritet. Suksese në detyrat tuaja për t’i ofruar popullit siguri maksimale dhe veçanërisht, kur bëhet fjalë për organizata terroriste, të cilat cënojnë drejtpërsëdrejti sigurinë e komunitetit apo shtetit, duke cituar këtu organizatën terroriste FETO, e cila tashmë është si virus për kombin dhe për shtetet e tjera”, tha zëvendësministri i Brendshëm turk. 

Në fjalën e tij në ceremoni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, ka falënderuar Qeverinë e Turqisë, që siç tha ai, “për ndihmën që po na japin për rritjen e kapaciteteve logjistike të policisë shqiptare”. 

Ai më tej tha se “Sot kemi një pjesë të parë të ndihmës që Qeveria Turke ka bërë gati për të mbështetur me logjistikë Policinë Shqiptare”.

“Kemi kontingjentin e 6 mjeteve të blinduara dhe 10 mjete ‘Land Rover’ ashtu siç është një ndihmë e konsiderueshme përsa i përket veshjeve që do të përdorin forcat speciale, duke përfshirë pjesën e kaskave, pjesën e mburojave dhe një sërë elementësh të tjera që do t’ua bëjnë punën më të lehtë në rastin e përdorimit të këtyre pajisjeve”, tha Veliu.

Zv.ministri turk, Ersoy është takuar gjithashtu edhe me drejtues të Policisë së Shqipërisë dhe përfaqësues të institucioneve turke në vend.

Ndihmat e Ministrisë së Brendshme të Turqisë përfshijnë automjete, kundragaz, pajisje të ndryshme për mbrojtje, jelek antiplumb si dhe pajisje të tjera të ndryshme që do të përdoren nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Shpërndaje