Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel zhvilloi një takim virtual me parlamentarët e vendeve anëtare dhe kandidate të Bashkimit Europian ku nuk dha shpresa sa i takon çeljes së negociatave të Shqipërisë brenda këtij viti.
Ajo theksoi se shpresonte në ndryshimin e qëndrimeve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe zbutja e situatës mes dy vendeve do të ishte një faktor që konferenca ndërqeveritare e RMV-së të zhvillohej këtë vit.
Ndërkohë që për Shqipërinë kancelarja gjermane u tregua skeptike. Pavarësisht përparimeve, siç tregoi dhe Merkel, nuk mund të premtonte që çelja e negociatave do të ndodhte që këtë vit, ama nuk e përjashtoi mundësinë që kjo ngjarje të ndodhë shumë shpejt.
“Në rastin e Shqipërisë çështja është pak më ndryshe. Me gjithë përparimet, nuk mund të premtoj se do të ndodhë që këtë vit, por shumë shpejt”, tha Merkel.
“Serbia, duhet të bëjë përparime në marrëdhëniet e saj me Kosovën,” – u shpreh Merkel duke sjellë në vëmendje se vendet e Ballkanit duhet të zbusin konfliktet në mënyrë që të anëtarësohen në BE.
Ishte Rudina Hajdari ajo që e falënderoi kancelaren për programin e Komisionit të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor dhe për mbështetjen gjatë periudhës së pandemisë.
Data 7 dhjetor do të jetë përfundimtare për të vendosur çeljen zyrtare të negociatave për Shqipërinë dhe RMV-në.