Ulqinaku: Bashkia Malësi e Madhe përdor taksat e qytetarëve për hesap të miqve të Tonin Marinaj dhe Edi Ramës…

Shpërndaje

Bashkia Malësi e Madhe përdor taksat e qytetarëve për hesap të miqve të Tonin Marinaj dhe Edi Ramës.

Tonin Marinaj ka 5 vite që e ka shndërruar institucionin e bashkisë në çerdhen e militantëve të paaftë dhe në çerdhen e hajdutëve.
Sipas raportit të KLSH, në Bashkinë Malësi e Madhe janë konstatuar një serë shkeljesh, fshehje dokumentacioni dhe zhvilluar tendera e paguar firma ndërtimi për punë të pakryera ose të papërfunduara.

Në auditimin e ushtruar në Bashkinë Malësi e Madhe, për periudhën 01.01.2018 deri më 30.03.2020, u konstatuan të meta në funksionimin e sistemit të kontrollit të brendshëm, shkelje nga kuadri ligjor dhe rregullator në fuqi:

– Bashkia Malësi e Madhe nuk ka ngritur një sistem efektiv të menaxhimit financiar dhe kontrollit të brendshëm, duke mos hartuar një kuadër të plotë rregullash të shkruara për këtë qëllim. Nuk janë hartuar rregulla për ruajtjen e aktiveve, nuk është hartuar regjistri i riskut, strategjia e riskut, plani i veprimit, gjurma e auditimit. Grupi i Menaxhimit Strategjik, nuk ka miratuar plane zhvillimi strategjike me afat jo më pak se sa 5 vjet. Njësia ka në strukturë specialist të IT-së, por nuk ka programe të licencuara dhe për rrjedhojë nuk ka as programe për mbrojtjen e të dhënave të sistemit elektronik.

– Paligjshmëri të përdorimit të fondeve publike me vlerë 118,638 mijë lekë.

– Për vitet 2018 dhe 2019, është kryer inventari fizik i disa aktiveve të qëndrueshme të patrupëzuara/ të trupëzuara dhe qarkulluese, nga ku konstatohet se në vitin 2018 janë kryer procedurat për nxjerrjen jashtë përdorimit, asgjësimin e inventarëve dhe sistemimin e llogarive kontabël, sipas rezultateve të inventarëve të kryera në vitin 2017, duke pakësuar llogaritë përkatëse për shumën totale 18,412,062 lekë.

– Në fund të vitit 2019, gjendja e llog. 466 “Kreditorë për mjete në ruajtje” është për vlerën kontabël 35,768,687 lekë. Nga analiza e përmbajtjes të kësaj llogarie, konstatohet se janë të ngurtësuara fonde për të cilat prej vitesh është përmbushur afati i garancisë prej 1 (një) viti nga dorëzimi i objekteve të investuara dhe nuk është bërë zhbllokimi i tyre, evidentuar kjo për 25 raste në shumën 4,962,799 lekë dhe nga Drejtoria e Financë dhe Menaxhim Buxhetit, nuk është kryer asnjë veprim sipas kushteve të kontratës për c’bllokimin e këtyre fondeve.

– Në fund të periudhave ushtrimore të viteve 2018 dhe 2019, kanë rezultuar detyrime të pa paguara ndaj të tretëve, ndërkohë që nuk janë përdorur të gjitha burimet financiare.

– Gjithashtu konstatohet se për vitet 2018 – 2019, shumat e detyrimeve të pa paguara janë më të mëdha se burimet financiare të papërdorura, gjë që tregon se janë kryer shpenzime të pa mbuluara me fonde.

– Bashkia Malësia e Madhe nuk ka marrë masat e nevojshme për miradministrimin e të gjitha aktiveve afatgjatë materiale dhe jo materiale, për llogaritë e aktiveve me vlerat neto sipas të dhënave të Pasqyrave Financiare të vitit 2019.

– Në auditimin e 4 procedurave me vlerë kontrate 389,465 mijë lekë, janë konstatuar shkelje në aplikimin e kritereve jo në zbatim të akteve ligjore/nënligjore të LPP, ku kriteret nuk janë në përputhje me zërat e preventivit, si dhe nuk është mbajtur procesverbal për argumentimin e tyre për çdo rast.

– Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës nr. 4362 prot datë 26.10.2017, me objekt “Rruga Fshati Marshej – Rruga Koplik Dedaj”, Bashkia Malësi e Madhe, me vlerë të kontratës 19,670,546 lekë pa TVSH, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera.

– Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës nr. 6449 prot datë 09.10.2018, me objekt “Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Abdyl Bajraktari” dhe i kopshtit Koplik”, Bashkia Malësi e Madhe, me vlerë të kontratës 63,273,970 lekë pa TVSH, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera.

– Nga auditimi i zbatimit të punimeve civile të kontratës nr. 414 prot datë 11.01.2018, me objekt “Rruga Ura e Zhajes – Zagore”, Bashkia Malësi e Madhe, me vlerë të kontratës 36,665,930 lekë pa TVSH, rezultuan diferenca në volume pune të pakryera.

Për pikat më lart dhe për të gjitha pikat e tjera, për të cilat KLSH ka raportuar shkelje dhe dëm ekonomik miliona euro, i bëj thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet!

Qytetarët janë të varfër, sepse ka 7 vite që Shqipëria qeveriset nga hajdutë e kriminelë! Shqiptarët meritojnë një Qeveri që punon për vendin dhe jo për një kastë të korruptuarësh.

Partia Demokratike ka qenë përherë në krah të qytetarëve të ndershëm dhe do të drejtojë me to vendin drejt Europës.

Shpërndaje