Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar një deklaratë të Genc Rulit, i cili është pjesë e një komisioni të ngritur në PD për të shqyrtuar propozimet e kandidaturave për deputetë.
Në një intervistë për Abc News, Ruli la të kuptohej se Berisha e ka marrë lavdinë nga politika.
Ndërkohë, mbrëmjen e sotme në Syti Tv, Berisha i pyetur për këtë deklaratë, u shpreh se Ruli është një burrë i mençur, por ndonjëherë viktimë e mençurisë së tij
“Genc Ruli është një burrë i mençur, por ndonjëherë viktimë e mençurisë së tij. Ai ngatërron dy gjëra elementare që nuk mund të ngatërrohen kurrë me njëra-tjetrën. Ngatërron karrierën me betejën.
Tjetër është beteja, tjetër është karriera.
Për karrierë, Berisha i ka dhënë fund më 26 qershor 2013. Të mendosh që një njeri që ka pasur disa funksione, qëndron deputet për karrierë, është e pamendueshme.
Beteja do të vazhdojë deri në arritjen e qëllimeve të PD. Ruli është viktimë e mençurisë së tij”, deklaroi Berisha.
I pyetur nëse do të vazhdojë betejën në Kuvend si deputet, Berisha tha: “Do të vazhdoj betejën. Do të shoh situatën dhe rrethanat. Nga beteja nuk tërhiqem kurrë”. /abcnews.al