Shifrat e pushuesve që humbin jetën mes dallgëve të detit mbeten thuajse të njëjtat edhe këtë sezon turistik.
Sipas statistikave të policisë, janë 19 të mbytur që nga fillimi i verës.
Në muajin Qershor humbën jetën 2 pushues në det, ndërsa në Korrik viktimat në det kanë qenë 10 persona. Në këto tre javë të Gushtit, pushuesit që kanë humbur jetën kanë qenë 7.
Shifrat mbeten thuajse të njëjta si një vit më parë, ku në muajt e verës humbën jetën 22 persona.
Të gjithë viktimat kanë qenë me pushime në bregdet, thotë policia, që mes shkaqeve kryesore të ngjarjeve rendit kontaktin me ujin e ftohtë që mund të sjellë atak kardiak, kryesisht për moshat e mëdha.
Në rastet e tjera ka qenë pakujdesia, pasi pushuesit kanë hyrë në det në kohë të keqe dhe e kanë pasur të pamundur të kthehen në breg për shkak të dallgëve të larta.
3 zonat me numrin më të lartë të atyre që humbin jetën në det janë Durrësi, Velipoja dhe Shëngjini, ku ka edhe më shumë pushues.
Nga një vëzhgim që Televizioni Klan ka bërë në bregdetin shqiptar, rezulton se kullat e vrojtimit jane ngritur, por rojet bregdetare shpesh nuk qëndrojnë në vendin e duhur, ose nuk janë vigjilentë. Kjo konfirmohet edhe nga shumë pushues.
Shumica e atyre që nuk kanë mbijetuar janë të moshave 60-75 vjeç, sipas regjistrave të policisë.
Tv Klan