Mes zhgenjimit dhe shpresës, ja si uron i riu socialist 29 vjetorin e PS…

Shpërndaje

Nga Elson Çeliku

Shtatë vite më parë shpresa për një Shqipëri tjetër që do të na çonte në një rrugë te re ishte e madhe.

Qindra mijëra të rinj i dhanë një shuplakë të fortë atij regjimi që PD kishte instaluar duke shpresuar se PS do të sillte ndryshimin e shumëpritur.

Sot është 29 vjetori i themelimit të PS, një parti që u krijua në ato vite mes vështirësive të kohës e paragjykimeve të pafundme.

Ashtu me shumë përpëlitje socialistët arritën të rikthehen në pushtet në 2013-ën. Shumë gjëra ndryshuan, disa reforma që nisën edhe pse nuk kanë mbaruar ende i dhanë një hov të ri vendit duke rigjallëruar Shqipërinë e kapur për fyti në tetë vitet e PD.

Gradualisht inspirimi ditëve para të pushtetit nisi të derdhet rrugës duke mos arritur që makineria e reformave të arrijë në destinacion. Të gjithë prisnim që të varfërit, ata që përpëliten çdo ditë për bukën e gojës sot të kishin një situatë tjetër duke mos diskutuar më bazën ushqimore për familjen.

Të gjithë prisnim që shtresa e mesme e kësaj shoqërie të mos varfërohej më shumë por pozicioni saj në shoqërinë shqiptare të përforcohej duke u kthyer në një pikë kyçe e ekonomisë. Të gjithë prisnim që bizneset të frymonin ndryshe.

Këto dhe shumë të tjera që ishin premtimet kryesore nuk ndodhën. Sot shëndetësia, bujqësia, arsimi, turizmi, ekonomia kanë thuajse të njëjtat probleme. Ata që kanë ndryshuar janë vetëm disa emra që pa shansin të menaxhojnë pasuritë e Shqipërisë duke lënë pjesën tjetër në të njëjtën varkë.

Sot në ditëlindjen e 29 të Partisë Socialiste kishim imagjinuar që kur të kalojmë pragun e shtëpisë në sytë e atyre që na besuan dhe na dhanë votën të shfaqemi krenar. Në fakt nuk është kështu. Politika e madhe mbetet e madhe dhe ndryshimet atje lart cilatdo qofshin nuk përkthehen tek baza e thjeshtë. Zëri ynë, zëri njerëzve të vegjël, atyre që sollën PS në pushtet, zëri i bazës nga ku buron suksesi por edhe dështimi është shuar.

PS nga ajo partia e hapur që pranonte lirinë e mendimit, që pranonte debati, që pranonte kundërshtimet, që pranonte demokracinë brenda llojit, që pranonte luftën e pastër u kthye në një kuti hermetike e centralizuar ku askush tashmë nuk mund të depërtojë. Ministra që duken si kukulla, deputetë që vihen në rreshtore si robotët apo kryetar bashkie që nuk punësojnë as një roje pa u falur aty ku duhet.

Partia Socialiste që njohim dhe për të cilën kontribuam për vite me dhë breza të tërë qytetarësh është një tjetër. PS nuk mund të jetë e tillë duke harruar gjithçka e duke i rënë ndesh nocionit progresist tek i cili buron si forcë politike.

Tashmë zgjedhjet e vitit 2021 janë shumë afër dhe PS normalisht pasi ka shtruar rrugën për tetë vite me radhë nuk ka se si të heqë dorë nga një mandat i tretë. Kemi edhe një vit përpara dhe kjo ditëlindje e 29 apo ditë të tjera të veçanta për ne socialistët duhet të shërbejnë për të ndryshuar kurs.

E vetmja mënyrë për të bindur shqiptarët edhe njëherë është duke rikthyer besimin tek baza, tek të varfërit, tek shtresa e mesme, biznesi dhe këdo tjetër që ndjehet i zhgënjyer dhe i përshjashtuar.

Nuk ka një forcë tjetër që mund ta meritojë për të drejtuar Shqipërinë por kjo nuk do të thotë që PS ta shpërdorojë këtë por përkundrazi ta përforcojë për ta futur Shqipërinë në rrugën që e meriton dhe që shqiptarët e presin prej 30 vitesh si një ëndërr e tejzgjatur.

Nuk ka më kohë për të humbur dhe PS duhet të kthejë kokën pas pse jo edhe për të kërkuar falje. Nuk mjaftojnë vetëm fjalët dhe kjo falje duhet të përkthehet me veprime konkrete për t’ia rikthyer Shqipërinë shqiptarëve si e vetmja mënyrë për të siguruar edhe një mandat tjetër.

Kam shpresë se kjo do të ndodh sepse ne jemi Partia Socialiste!
Gëzuar ditëlindjen!

Shpërndaje