Vlerësohen efektivët që arrestuan autorin e masakrës në Shkodër…

Shpërndaje

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua sot një ceremoni vlerësimi për gjashtë efektivët që arrestuan Ragip Gilën, autorin e ngjarjes së rëndë të 8 shtatorit në lagjen “Qemal Stafa”, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër – Inspektorët Samet Qotaj, Arlind Mehmeti, Rigers Sekja dhe Kristi Koçeku – së bashku me Inspektorët e Rendit Publik, Izmir Lamkollari dhe Xhuljo Hafëzi, u nderuan me certifikata “Për merita të veçanta, profesionalizëm dhe përkushtim në detyrë”.

Drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në fjalën e tij, theksoi vendosmërinë dhe guximin e efektivëve që vepruan menjëherë për të neutralizuar autorin në një situatë me rrezik të lartë. “Ata treguan se në radhët e Policisë ka burra e gra që nuk hezitojnë të sakrifikojnë për sigurinë e qytetarëve”, u shpreh ai.

Në ceremoni morën pjesë edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe Drejtori i DVP Shkodër, Gentian Berberi. Proda vuri në dukje se gjatë muajve të fundit janë zhvilluar operacione të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, janë arrestuar persona me rrezikshmëri të lartë, janë sekuestruar armë e lëndë narkotike dhe janë parandaluar ngjarje të rënda kriminale, si dëshmi e forcimit të strukturave të rendit.

Inspektor Kristi Koçeku, në emër të kolegëve, falënderoi drejtuesit për vlerësimin dhe theksoi se ky është një motivim i madh për të vijuar me përkushtim në shërbim të qytetarëve, duke i ftuar ata të kenë më shumë besim te Policia e Shtetit.

Shpërndaje