Vendimi i Bordit të Transparencës: Çmimet e reja të karburanteve, deri në 218…

Shpërndaje

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja tavan për shitjen e nënprodukteve të naftës në vend. Sipas këtij vendimi, çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 nuk duhet të kalojë 218 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë është përcaktuar jo më shumë se 206 lekë për litër.

Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 218 lekë për litër, ndërsa për shitjen me shumicë në 169 lekë për litër.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, sot më 28 mars në orën 22:30, dhe do të mbetet në zbatim deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të çmimeve.

Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të zbatojnë me përpikëri këtë vendim. Në rast të shkeljeve, paralajmërohet pezullim i aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.

Institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksojnë angazhimin për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.

Shpërndaje