
Ish-kandidati për deputet, Ted Kopliku, ka reaguar ashpër për mënyrën se si, sipas tij, është menaxhuar dhe shfrytëzuar territori në Shkodër gjatë viteve të fundit. Përmes një postimi publik, ai ngre shqetësimin për zaptimin e hapësirave dhe shfrytëzimin e zonave natyrore, duke përmendur edhe malin e Tarabosh, për të cilin thotë se po rrethohet dhe po privatizohet gradualisht. Sipas tij, qyteti ka gjithnjë e më pak hapësira publike dhe mungojnë parqet e mirëfillta për qytetarët.
Postimi i plotë:
Pasi barbaria mori në 30 vite çdo meter në qytet, here me dhunë e të fortë, herë me lekë të trafiqeve të femrave apo bankash të vjedhura, e deri tek leket e kanabizimit, call-centerave dhe kriptomonedhave, tashmë i kan hipur edhe Taraboshit. Në pak vite po rrethohet me Nua Rrokët e rinj, “toka e xanun”, trashëgimi e gjyshit që as nuk e kan njoft, i gjithë mali.
Çfarë do mbesë për publikun? Pse nuk kthehet në park e pasuri publike toka e shtetit? Asnjë park në Shkodër, veç njërit 3D që presim, në hyrje të qytetit, që ma shum ka beton se pemë.
Nuk mund të heshtim në këtë vend që shitet si aksion në shërbim të publikut heqja e saksiave e tendave, ndërkohë që gllabërohen mijëra hektarë.




