Skënder Hita merr drejtimin e Policisë së Shtetit pas vendimit të qeverisë…

Shpërndaje

Skënder Hita është emëruar në krye të Policisë së Shtetit. Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga 14 kandidaturat që ishin në total.

Lajmi është bërë me dije nga Ministri për Punët e Brendshme, Besfort Lamallari i cili deklaron se zgjedhja e Skënder Hitës si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.

Sipas Lamallarit, Hita u ka dëshmuar vizion strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.

“Sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave miratuam vendimin për dhënien e gradës Drejtues Madhor dhe emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z.Skënder Hita. Ky është një vendim i bazuar në meritë, profesionalizëm dhe integritet.

Skënder Hita ka rezultuar ndër kandidatët më të vlerësuar nga një proces konkurrues, duke dëshmuar përvojë të spikatur, vizion të qartë strategjik dhe angazhim të palëkundur ndaj ligjit dhe qytetarëve.

Policia e Shtetit ka një rol kyç në garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Prandaj, drejtimi i saj kërkon jo vetëm aftësi profesionale, por edhe ndershmëri, etikë dhe përgjegjësi të lartë publike“, shkruan Lamallari.

Ky i fundit shprehu bindjen se nën drejtimin e Skënder Hitës, Policia e Shtetit do të forcojë performancën, të rrisë besimin e qytetarëve dhe do të përmbushë me përkushtim misionin e saj në shërbim të sigurisë dhe shtetit të së drejtës.

Skënder Hita pason në këtë detyrë Ilir Prodën, i cili u shkarkua nga drejtimi i Policisë së Shtetit për shkak të menaxhimit jo të duhur të protestës së opozitës (10 shkurt).

Pas shkarkimit të tij, në krye të Policisë së Shtetit u komandua Sokol Bizhga.

Më 24 mars, në ambientet e Ministrisë së Brendshme u zhvillua faza e intervistimit për kandidatët që garonin për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Komisioni vlerësues, i përbërë nga zëvendësministrja e Brendshme Silva Caka, sekretarja e përgjithshme Kledia Ngjela dhe kreu i AMP-së Eduart Merkaj, shqyrtuan më herët dosjet e kandidatëve dhe përzgjodhën 14 emra.

Shpërndaje