
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar shkarkimin e të gjithë kryetarët e Njësive Administrative në të gjithë vendin.
Duke iu referuar problematikave në bashkitë e vendit dhe njësive të tyre administrative, Rama tha se drejtuesit e këtyre njësive duhet të shkarkohen që t’u jepet mundësia edhe të tjerëve të kontribuojnë për vendin.
Megjithëse Rama tha se nuk i përfshin të gjithë në një kategori, sipas tij, niveli i qeverisjes vendore dhe puna e krerëve të njësive administrative lë shumë për të dëshiruar.
“Këtu janë edhe disa nga kryetarët e forcave të tjera. Për sa i përket kryetarëve të Partisë Socialiste gjithë kryetarët e njësive administrative duhet të shkarkohen, që të gjithë. Dhe tu jepet mundësia, por duke iu dhënë mundësia edhe të tjerëve që të tregojnë se mund të jenë më të zotë se ata”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se “votat që kemi marrë e kanë rritur diferencën sa jemi anëtarë partie dhe sa janë ata që e duan këtë parti në krye”.
Për këtë arsye sipas tij, u duhet dhënë mundësia edhe të tjerëve, ndërsa shtoi se nuk mund të tolerohen gabime të atillë teksa Shqipëria sheh drejt 2030-s për t’u integruar në Bashkimin Evropian.
“Rritja e kësaj diference do të thotë që ne duhet ta rrisim hapësirën edhe për ata të tjerët që nuk na njohin por që na kanë dhënë votën duke na besuar se ne mund të bëjmë shumë më mirë. Shqipërinë për 2030-n nuk e bëjmë dot duke përsëritur të njëjtat gabime.
Gabime mund të bëjmë por gabime të reja, duhet të bëjmë të tjera gjëra. Dhe një nga gjërat e reja është që t’u japim një mundësi të re për këtë vend, dhe drejtorë e kryetarë njësish, nuk i fut të gjithë në një thes, por shumicën dërrmuese nuk ka nevojë ta shohësh se mjafton të shohësh lulëzojnë barërat e këqija në territoret e tyre për të parë se ata nuk janë në funksion”, tha Rama.




