
Në mbledhjen e Komisionit të Mbrojtjes Civile të Qarkut Shkodër, të zhvilluar në kuadër të masave për përballimin e emergjencave të mundshme gjatë sezonit veror 2025, u mblodhën përfaqësues të bashkive, strukturave të emergjencave civile, MZSH, Policisë së Shtetit dhe institucione të tjera me rol në menaxhimin e situatave emergjente.
Qëllimi i takimit ishte vlerësimi i situatës aktuale dhe planifikimi i masave parandaluese e reagimit për të garantuar ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar në raste emergjente. U theksua nevoja për forcim të kapaciteteve vendore, rritje të gatishmërisë dhe përmirësim të mekanizmave të njoftimit të hershëm.
Prefekja e Qarkut Shkodër, znj. Malinda Angoni, kërkoi angazhim maksimal nga strukturat përkatëse, përdorim efikas të logjistikës dhe burimeve njerëzore, vendosjen e tabelave informuese në zonat turistike dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë për identifikimin dhe ndjekjen penale të zjarrvënieve të qëllimshme.
Në përmbyllje, u ritheksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe pasurive natyrore të qarkut gjatë muajve të nxehtë.








