Pikëpyetje mbi investimin në Razëm, kërkohet proces i hapur dhe i drejtë…

Shpërndaje

Ish-kandidatja për deputete e PS në Shkodër, Vera Ndrecaj, ka reaguar ndaj debatit të fundit për dhënien e një sipërfaqeje në Razëm për një investim turistik nga një kompani private. Ajo shprehet se investimet që nxisin ekonominë dhe hapin vende pune janë të mirëpritura, por nënvizon se procesi duhet të jetë i hapur dhe i drejtë, duke kërkuar sqarime mbi mënyrën si është përzgjedhur investitori.

Sipas saj, përdorimi apo zhvillimi i pronave publike duhet të ndjekë rregulla të qarta ligjore, duke garantuar garë të ndershme dhe transparencë në çdo hap. Në mungesë të këtyre standardeve, ajo ngre pikëpyetje mbi procesin, duke kërkuar të dihet nëse ka pasur interes nga subjekte të tjera dhe mbi çfarë kriteresh është marrë vendimi përfundimtar.

Statusi i plotë:

Kohët e fundit, në rrjetet sociale po qarkullojnë diskutime rreth një iniciative për t’i dhënë një sipërfaqe të konsiderueshme në Razëm një kompanie private për investim turistik. Në parim, çdo investim që sjell zhvillim ekonomik dhe punësim është i mirëpritur. Por pyetja thelbësore mbetet: a janë ndjekur të gjitha procedurat ligjore dhe institucionale për të garantuar transparencë, barazi dhe interes publik?

Sipas kuadrit ligjor në Shqipëri, dhënia në përdorim apo zhvillim i pronave publike duhet të kalojë përmes procedurave të qarta konkurruese, të bazuara në ligjin për prokurimin publik dhe menaxhimin e pronës shtetërore. Këto procedura kërkojnë shpallje publike, konkurrencë të hapur dhe kritere të qarta për përzgjedhjen e investitorëve. Në mungesë të këtyre elementeve, lindin dyshime legjitime: a ka pasur kompani të tjera të interesuara për të investuar në Razëm? Nëse po, pse nuk janë kualifikuar dhe mbi çfarë baze është marrë vendimi përfundimtar?

Ky diskutim bëhet edhe më i ndjeshëm kur vendoset në kontekstin e historisë së pronësisë në Malësi të Madhe. Ligji Nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, ishte themeli për ndarjen e tokës bujqësore pas rënies së sistemit komunist. Megjithatë, pas më shumë se 35 vitesh, ende ka nje numer te konsiderushm familjesh që nuk kanë përfituar tokën që u takon me ligj. Këto familje vazhdojnë të trokasin në dyert e bashkive dhe gjykatave, ndërsa zgjidhja mbetet pezull.

Në këtë realitet, çdo vendim për përdorimin e tokës publike duhet të jetë i dyfishtë në përgjegjësi: ligjor dhe moral. Së pari, duhet të mbyllen padrejtësitë historike të trashëguara nga zbatimi i mangët i ligjit 7501. Vetëm pasi të jenë respektuar të drejtat e ligjshme të qytetarëve, çdo sipërfaqe e mbetur në pronësi të bashkisë mund të përdoret për zhvillim ekonomik në interes të komunitetit.

Nga ana tjetër, fenomeni i “bajraktarizmit” dhe klientelizmit në menaxhimin e pronave vazhdon të dëmtojë besimin publik. Legalizimet selektive dhe vendimmarrja jo-transparente krijojnë pabarazi dhe tension social. Pyetja është e drejtpërdrejtë: kush mban përgjegjësi për këtë situatë?

Po aq shqetësuese janë edhe kushtet bazë të jetesës në shumë zona të Malësisë së Madhe. Ka komunitete ku furnizimi me energji elektrike është i paqëndrueshëm, me tension aq të ulët sa pajisjet shtëpiake nuk funksionojnë normalisht. Po ashtu, mungesa ose ndërprerjet e ujit të pijshëm i detyrojnë banorët të blejnë një shërbim jetik që duhet të ishte i garantuar. Këto nuk janë thjesht probleme infrastrukturore, por tregues të një mungese përgjegjësie institucionale.

Në këtë kontekst, zhvillimi i turizmit duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i drejtë. Mbështetja për bizneset e vogla dhe të mesme lokale, respektimi i të drejtave të pronësisë dhe garantimi i shërbimeve bazë janë parakushte për një zhvillim të qëndrueshëm. Përndryshe, rrezikojmë që investimet e mëdha të ndërtohen mbi padrejtësi të vjetra dhe të krijojnë pabarazi të reja.

Zhvillimi nuk duhet të jetë privilegj i pakicës, por e drejtë e çdo qytetari. Dhe përgjegjësia për ta garantuar këtë është e institucioneve – sot, jo nesër.

Shpërndaje