
Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri në Shkodër, të zhvilluar sipas parimit “një anëtar, një votë”. Në listat e anëtarësisë ishin të regjistruar rreth 7200 anëtarë me të drejtë vote, ndërsa në proces morën pjesë 1781 prej tyre.
Votimi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa kontestime nga kandidatët në garë, Ardit Çylybyli dhe Gentian Ibro. Gjatë gjithë procesit të votimit, nga ora 08:00 deri në 18:00, të dy kandidatët qëndruan pranë ambienteve të teatrit “Migjeni”, në hollin e të cilit ishte vendosur qendra e votimit.
Pas përfundimit të votimit nisi procesi i numërimit të votave, i cili u zhvillua në prani të mediave dhe personave të interesuar. Në përfundim të numërimit, rezultati nxori fitues Ardit Çylybylin.
Kështu, Ardit Çylybyli është shpallur zyrtarisht kryetar i Partisë Demokratike në Shkodër për një mandat katërvjeçar.




