
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur se kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, nuk ndodhet në kushtet që e pengojnë të ushtrojë mandatin e tij.
Sipas verifikimeve të kryera, rezulton se Marinaj nuk është dënuar me një vendim të formës së prerë dhe nuk figuron i arrestuar, i ndaluar apo i proceduar penalisht në Shqipëri apo jashtë saj.
Kujtojmë se në korrik të vitit 2024, grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkoi zyrtarisht Prokurorit të Përgjithshëm verifikimin e Marinajt në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.
PD pretendonte se ndaj kryebashkiakut të Malësisë së Madhe kishte dyshime të ngritura nga Prokuroria e Antimafias Italiane, duke e lidhur emrin e tij me një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës.
Në kërkesën e dorëzuar aso kohe, Partia Demokratike argumentonte se ekzistonin të dhëna dhe informacione që krijonin dyshime të arsyeshme mbi përfshirjen e Tonin Marinajt në veprimtari të paligjshme, çka sipas saj mund ta vendoste atë në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe ushtruar funksione publike, bazuar në ligjin nr. 138/2015.




