Një Ditë Historike në Ulqin: Inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë…

Shpërndaje

Ulqini, qyteti i pasur me vlera natyrore, historike dhe kulturore, ishte sot mikpritës i inaugurimit të Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë. Në ceremoninë zyrtare morën pjesë Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Ervin Ibrahimović; përfaqësues të qeverisë qendrore dhe vendore, trupi diplomatik dhe qytetarë ulqinakë.

Ministri Hasani e cilësoi këtë ngjarje si dëshmi të marrëdhënieve të veçanta dhe bashkëpunimit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. “Ky është një hap strategjik për të thelluar bashkëpunimin në fushat politike, ekonomike, kulturore dhe njerëzore. Konsullata do të ndihmojë në nxitjen e shkëmbimeve tregtare, investimeve dhe zhvillimit të qëndrueshëm në sektorë si turizmi, energjia dhe infrastruktura”, u shpreh ai.

Ai vuri në dukje se qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për mirëqenien e shqiptarëve jashtë kufijve dhe theksoi rolin pozitiv të komunitetit shqiptar në Mal të Zi për stabilitetin dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Në kuadër të vizitës, Ministri Hasani zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, ku u diskutuan çështje të bashkëpunimit në arsim, kulturë dhe turizëm. Ai vizitoi gjithashtu Qendrën e Librit dhe Promovimit të Kulturës Shqiptare “Libraria Ulqini”, e cila këtë vit është mbështetur me një grant prej 50 mijë eurosh, ndërsa premtoi vazhdimësinë e ndihmës financiare.

Vizita u përmbyll me takime me drejtues të partive politike shqiptare në Mal të Zi, ku u diskutuan zhvillimet politike dhe çështjet rajonale të rëndësishme për komunitetin shqiptar.

Shpërndaje