
Projektligji për “Barazinë Gjinore”, i dorëzuar tashmë në Kuvend, ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me versionin fillestar.
Në vend të termit klasik “burrë dhe grua”, drafti i ri përdor një formulim më gjithëpërfshirës, duke e shtrirë kuptimin e gjinisë përtej kufijve biologjikë. Kjo ka sjellë reagime të shumta dhe debate në rrjete sociale.
Në variantin e parë të publikuar në mars, neni 4 përcaktonte qartë se me “gra dhe burra” nënkuptoheshin “vajza dhe djem”. Por, me ndryshimet e fundit, koncepti i “gjinisë” nuk kufizohet vetëm tek femrat dhe meshkujt, por përfshin edhe identitete të tjera, duke u lidhur drejtpërdrejt me mbrojtjen nga diskriminimi dhe parimin e barazisë.
Këto riformulime u propozuan nga Aleanca LGBTI gjatë fazës së konsultimeve dhe u pranuan nga Ministria e Shëndetësisë e Mirëqenies Sociale, për t’u futur më pas në draftin final që ndodhet në Kuvend.
Projektligji ka kaluar edhe përplasje gjyqësore, pasi në një rast të mëparshëm Gjykata Administrative e rrëzoi, duke kundërshtuar vendimin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në një çështje ku ishte i përfshirë pastori Akil Pano.
Pjesa më e debatueshme mbetet përdorimi i termave “gjithëpërfshirës” dhe “shprehje gjinore”, të cilët i japin njohje ligjore identiteteve të reja, pa i listuar konkretisht. Duke qenë se në nivel ndërkombëtar përmenden mbi 70 identitete gjinore, mbetet e paqartë se si ky ligj do të zbatohet në praktikë.




