
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, Kliti Hoti, vijon takimet me njerëzit që mbajnë gjallë shpirtin e Shkodrës. Këtë mëngjes, ai ndau një kafe të veçantë me përfaqësues të shahut shkodran – një sport i mendjes, i përkushtimit dhe i krenarisë qytetare – për të dëgjuar nga afër pasionin dhe sfidat e tyre.
Postimi i kandidatit Hoti:
Sot në mëngjes, një kafe ndryshe me miqtë e shahut shkodran. Prof. Benard Leka, trajneri i Vllaznisë Eduart Hoxha, trajneri i të vegjëlve, Markens Çapaliku dhe Henri Troshani – kampioni i vogël i Ballkanit – më folën me pasion për sportin e mendjes, për sakrificat që bëjnë çdo ditë, për fëmijët që mësojnë të mendojnë përpara se të lëvizin.
Shkodra ka talente të jashtëzakonshme edhe në këtë sport që shpesh mbetet në hije. Shahistët shkodranë janë ambasadorë të heshtur të qytetit, dhe është detyrë e jona t’u japim më shumë mundësi për të çuar Shkodrën në majat që e meriton.





