Kartoni i verdhë i mesfushorit të Arsenalit, Granit Xhaka kundër Leeds është duke u hetuar për trukim…

Kartoni i verdhë i Granit Xhakës në fitoren e Arsenalit(1-4) kundër Leeds më 18 dhjetor 2021, po hetohet nga Agjencia Kombëtare e Krimit. Kjo pasi dyshohet për një skandal të madh bastesh. Federata angleze kreu një hetim gjashtëmujor dhe ja ka referuar çështjen agjencisë kryesore të krimit të organizuar në Angli.

FA hapi hetimin e saj, pasi u njoftua për baste të dyshimta në lidhje me një karton të verdhë të Xhakës, në fund të fitores 1-4 të Arsenalit, sezonin e fundit përballë Leeds. Alarmi u ngrit nga një bast i madh prej rreth 70 mijë euro, i vendosur gjatë ndeshjes. Basti ishte që Xhaka do të ndëshkohej në 10 minutat e fundit, dhe pse Arsenali po fitonte 4-1.

Mesfushori i Zvicrës u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari Andre Marriner, për vonesa në minutën e 86-të, pasi ai nuk po ekzekutonte një goditje dënimi. Pamjet e momentit tregojnë Xhakën duke qëndruar afër topit për rreth 20 sekonda, pa asnjë dëshirë të dukshme për të ekzekutuar goditjen e lirë para se të ndëshkohet.

Basti i dyshimtë u raportua menjëherë pasi fituesi mori një pagesë prej rreth 300 mijë euro. U raportua në Federatën angleze të futbollit, për shkak të shumës së madhe të parave të përfshira. Disa burime të basteve i kanë thënë Sportsmail se shuma ishte shumë më e madhe se ajo që vihet zakonisht me kartonët e verdhë.

Rastet e vërtetuara të fiksimit janë të rralla në Angli, megjithëse mbrojtësi i Lincoln City, Bradley Wood u pezullua për gjashtë vjet në 2018, pasi u shpall fajtor për ndëshkim të qëllimshëm dy herë gjatë një ndeshje në çerekfinalet e Kupës së Anglisë.

Tekstet zbuluan se Wood kishte hartuar një plan me shtatë shokë. Ata do të fitonin rreth 15 mijë euro për dy baste të ndryshme, megjithatë shumë më pak se në rastin e Granit Xhakës.

Burimi: Daily Mail