
Të dashur miq,
këto ditë në Kuvendin e Shqipërisë po diskutohet projektligji i ri “Për barazinë gjinore”, të cilin Partia Socialiste synon ta sjellë për miratim në seancën plenare të së enjtes.
Unë jam rritur në një familje ku fjala “barazi” kishte kuptim të vërtetë. Prindërit e mi më mësuan se dashuria, sakrifica, përkushtimi dhe respekti janë themeli i çdo marrëdhënieje të shëndoshë. Ajo ishte barazia e jetuar çdo ditë, që nuk kërkonte ligje për t’u provuar, sepse lindte nga ndjenja e detyrës dhe përgjegjësisë.
Sot, për fat të keq, përpara nesh është një projektligj që kërkon të ndryshojë vetë kuptimin e gjinisë, duke futur nocione të paqarta si “identitet gjinor” dhe “shprehje gjinore”. Si të thuash që gjinia nuk është më realitet biologjik, por një ndjesi që mund të ndryshojë nga dita në ditë.
Shqipëria nuk ka nevojë për ligje që ngatërrojnë konceptet më themelore të natyrës njerëzore, por për politika që forcojnë familjen, që nderojnë punën, dashurinë dhe respektin mes burrit dhe gruas.
Unë do të jem kundër këtij projektligji, me bindjen se barazia e vërtetë nuk vjen nga ideologjia, por nga dashuria, përgjegjësia dhe respekti i ndërsjellë që kanë mbajtur shoqërinë shqiptare të fortë për breza.
Kolegët e Partisë Socialiste duhet të reflektojnë, sepse nuk ka përparim të vërtetë duke mohuar vlerat që na kanë bërë të jemi ky popull krenar.
Kliti Hoti (Deputet i partisë Demokratike Qarku Shkodër)




