Benet Beci takim me strukturat e emergjencave të Bashkisë Shkodër…

Shpërndaje

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka njoftuar rritjen e gatishmërisë së strukturave vendore për shkak të parashikimeve të reshjeve të dendura në basenin e Drinit gjatë ditëve në vijim. Ai theksoi se institucionet lokale dhe ato qendrore po punojnë në koordinim të plotë për të garantuar menaxhim të sigurt të situatës dhe për të minimizuar çdo risk për qytetarët.

Postimi i kryebashkiakut Beci:

Sipas parashikimeve të fundit hidrometeorologjike, në basenin e lumit Drin gjatë datave 17–23 Nëntor priten reshje me intensitet të lartë.

Mbajta sot një takim me strukturat e emergjencave të Bashkisë Shkodër, ku e pranishme ishte edhe Prefektja e Qarkut Shkodër, Holta Duda. Nga komunikimi me të gjitha drejtoritë përgjegjëse dhe verifikimet në terren, konfirmohet se gatishmëria është maksimale dhe situata po vlerësohet me seriozitet të plotë. Në gjithë territorin e bashkisë janë kryer ndërhyrje të vazhdueshme në pastrimin e kanaleve, kolektorëve dhe segmenteve të ndjeshme, me qëllim garantimin e funksionimit të sistemit të kullimit dhe parandalimin e problematikave të mundshme.

Jemi në kontakt të vazhdueshëm edhe me KESH, i cili po monitoron në mënyrë të pandërprerë situatën hidrometeorologjike, ndërsa operimi i kaskadës së Drinit po kryhet brenda kushteve teknike dhe kuotave të përcaktuara nga rregulloret në fuqi.

Ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat me risk dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të institucioneve. Për çdo problematikë, strukturat e emergjencave janë të disponueshme 24/7 në numrin e telefonit 069 60 60 992.

Shpërndaje