
Në projektbuxhetin e vitit 2026, Bashkia Shkodër ka përfshirë një investim për përmirësimin e shërbimeve publike, duke parashikuar ndërtimin e tre tualeteve publike në pika të rëndësishme urbane.
Sipas programit “Shërbimet Publike Vendore”, ky projekt synon të adresojë një problem të hershëm të qytetit: mungesën e ambienteve publike sanitare, veçanërisht në një kohë kur Shkodra po përballet me rritje të ndjeshme të numrit të turistëve.
Faza e parë e projektit parashikon ndërtimin e tualeteve:
pranë lulishtes përballë Bashkisë Shkodër,
në zonën e Isa Buletinit,
dhe tek lulishja pas Dollarit.
Fondi total i planifikuar është 19.074.000 lekë, ku përfshihen kostot e projektimit, ndërtimit, mbikëqyrjes dhe kolaudimit. Investimi do të financohet nga buxheti i Bashkisë dhe pritet të zbatohet gjatë vitit 2026.
Ky projekt synon të rrisë komoditetin për qytetarët, të përmirësojë shërbimet urbane dhe të ndikojë pozitivisht në imazhin turistik të Shkodrës.




